Serbët i reagojnë Haradinajt: Sjellja e saj nuk mund të tolerohet më

Drejtori i së ashtuquajturës zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, është shprehur i indinjuar nga deklarata e Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila tha se presidenti serb Vuçiq dhe miqtë e tij në detyrë nuk mund ta shkelin Kosovën pa kërkuar falje për krimet e kryera.

“Deklarata e saj, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do të lejohet të vijë në Kosovë deri në një njoftim të mëtejshëm është një manifestim i dhunës politike dhe një shkelje e qartë e standardeve Beograd-Prishtinë që rregullon vizitat nga zyrtarët dhe lirinë e lëvizjeve, si dhe të gjitha rregullat e sjelljeve të civilizuara”, deklaroi ai, pa përmendur kërkesën për kërkim falje të shefes së diplomacisë kosovare.

Ai është shprehur i prekur edhe nga deklaratat e Haradinaj-Stubllës për patriarkun Irinej, në ditën kur serbët po manin zi.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ia ka bërë me dije presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do ketë leje për futje në Kosovë, derisa shteti i tij të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve.

Haradinaj-Stublla e ka deklaruar një gjë të tillë përmes një shkrimi në Twitter, duke ia përmendur një deklaratë të tijën të dhënë gjatë inaugurimit të një spitali në Batajnicë, vend ky ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të vrarë.

Reagimi i plotë i saj:

Vuçiqi paska deklaruar mbrëmë se në përurimin e një spitali në Batajnicë (mu aty ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të vrarë e masakruar – në mesin e të cilëve është edhe axha im nga masakra e Lybeniqit) se ‘ndihet krenar’ që është kryetar i një shteti që pas 21 vitesh përfundim të luftës, kanë dhënë leje për të kryer gërmime në varrezat masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar nga Serbia. E pyes publikisht Vuçiqin, si familjare e prekur nga gjenocidi i Serbisë në Kosovë: a je ndier “pokaq krenar” edhe kur ke qenë në tavolinën ku u morr vendimi për të kryer këto krime kundër shqiptarëve të Kosovës?!

E përsëris edhe një herë përgjigjen e vetme dhe të përhershme për të gjitha kërkesat e ardhshme të Vuçiqit dhe të tjerëve: NUK KA LEJE PËR JU PËR VIZITA NË KOSOVË PËRDERISA NUK KËRKONI FALJE PËR GJENOCIDIN E KRYER NDAJ POPULLIT TONË, DHE PËRDERISA NUK VIHEN PARA DREJTËSISË NDËRKOMBËTARE PËRGJEGJËSIT E ATIJ GJENOCIDI.

Ka përfunduar koha kur Kosova është keqpërdorë si monedhë transkasioni ndërkombëtar dhe si platformë për shoë politik për Vuçiqin dhe Serbinë.