Serbët i ankohen Vuçiqit, por detyrohen t’i binden shtetit të Kosovës – garat sportive do të zhvillohen në Serbinë qendrore

I ashtuquajturi kryetar i Shoqatës së Sporteve të Kosovës, Goran Kovaç tha se klubet në Rajonin e Anamoravës kanë marrë një dokument të shkruar ku thuhet se të gjithë organizatorët e ngjarjeve sportive që janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës do të ndiqen penalisht.

Ai foli në një takim të përfaqësuesve serbë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që sot u mbajt në Rashkë.

Ai e pranoi se klubeve nga Serbia u është ndaluar të garojnë në territorin e Kosovës, kështu që ndeshjet luhen në qytetet e Serbisë qendrore. Ai u viktimizua duke thënë se situata tani është më e rëndë.

“Një ditë më parë në Shtërpcë e kanë ngacmuar trajnerin dhe kryetarin e klubit të hendbollit dhe u kanë thënë se do të ndiqen penalisht dhe do të arrestohen nëse herën tjetër do të dalin në fushë”, i tha ai presidentit serb.

Ai deklaroi se klubet në Anamoravë e kanë marrë një dokument të shkruar ku thuhet se të gjithë organizatorët e ngjarjeve sportive do të ndiqen penalisht. Ai lexoi se në atë dokument, në pikën e tretë, shkruhet si më poshtë: “Duhet të identifikohen ata organizatorë që organizuan dhe zhvilluan ngjarje sportive dhe ngjarje që bien ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës dhe të merren masa në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente”.

Ai sugjeroi që të gjitha federatat dhe Ministria të qëndrojnë pas deklaratës së përbashkët – që ajo të përcillet tek organizatat ndërkombëtare, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare ombrellë të të gjitha federatave (të sporteve të ndryshme). Ai ka shtuar një apel që të gjithë përfaqësuesit e Federatës së Serbisë Qendrore të vijnë në Kosovë për të treguar mbështetjen e tyre.

Javën e kaluar, Federata e Futbollit dhe Ministria kosovare e Sportit kanë marrë vendim që të ndalojë mbajtjen e të gjitha garave të Serbisë në territorin e Kosovës.