Pas ngjarjeve dhe zhvillimeve të djeshme si pasojë e arrestimit të katër qytetarëve serbë të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe protestave nëpër lokacione të ndryshme, gjatë ditës së sotme në veri të Mitrovicës po mbretëron gjendje e qetë.
Autoritetet e rendit duke folur për KosovaPress, kanë përshkruar gjendjen e përgjithshme si të qetë dhe nën kontroll.Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka thënë përmes telefonit se gjendja aktuale në veri të Mitrovicës është e qetë.
“Gjendja në veri të Mitrovicës është e qëndrueshme, e qetë dhe nën kontroll. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, ka thënë Hoti.Edhe Dushanka Radojev, qytetare nga veriu, situatën në veri të Mitrovicës e sheh sot të qetë pas ngjarjeve të ditës së djeshme.
Ajo lutet që situata të jetë e mirë, ndërsa i vjen keq kur ndodhin gjëra të këqija këtu.Në anën tjetër, kishte qytetarë të cilët situatën e përgjithshme në atë pjesë e shohin të tensionuar.
Një qytetare serbe nga veriu i Mitrovicës, e cila nuk deshi të prezantohet, tha se situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar.Sejfa Bajroviq, po ashtu nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se situatë e tensionuar në atë pjesë po mbretëron që 20 vite.
Sipas saj, qytetarët duhet të shikojnë si të jetojnë sa më mirë, ndërsa politikën t’ua lënë politikanëve.







