Serbët bllokojnë kamionët nga Kosova, nuk i lejojnë të kalojnë në Serbi nga Jarinja

Disa qytetarë serbë kanë bllokuar hyrjen e kamionëve nga Kosova që kalojnë nga pika e Jarinjës.

Telegrafi mëson se rreth orës 19:00, disa vozitës serbë të kamionëve, në shenjë pakënaqësie ndaj zhvillimeve të fundit, kanë bllokuar rrugën magjistrale në pjesën e Serbisë (pas pikës kufitare në Jarinjë), ku nuk po i lënë kamionët me targa të Kosovës të shkojnë tutje për në Serbi.

Ndryshe, pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë, Kosova ka bllokuar hyrjen e mallrave dhe kamionëve serb në Kosovë për shkaqe sigurie.

Ndërsa Ministria e Jashtme u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë.

Po ashtu Policia e Kosovës njoftoi të hënën se është arrestuar një pjesëtar i kmunitetit serb nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj gazetarëve.

Sipas policisë, i arrestuari që u identifikua me inicialet U.V., “është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023”.

Ky është personi i tretë i arrestuar brenda tre ditëve për sulm ndaj gazetarëve në komunën e Leposaviçit dhe Zveçanit.