SHBA

Senatori amerikan: Hudhra kineze përbën rrezik për sigurinë kombëtare

Senatori amerikan Rick Scott, ka bërë thirrje për hetim qeveritar rreth ndikimit të importeve të hudhrës kineze, në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Republikani Scott i ka nisur kërkesë Departamentit amerikan të Tregtisë, duke pretenduar se hudhra kineze është e pasigurt, duke cituar metodat josanitare të prodhimit.

Kina është eksportuesja më e madhe në botë e hudhrës së freskët dhe të ngrirë, dhe Shtetet e Bashkuara janë një prej konsumatoreve kryesore.

Mirëpo, tregtia është kthyer në proces kontrovers në vjetët e fundit.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën për shitje të hudhrës me çmime nën ato që janë në treg.

Prej mesit të viteve ’90, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur taksa të ndryshme në importet kineze, ashtu që prodhuesve amerikanë të mos iu rrezikohet tregu.

Më 2019, gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, tarifat janë rritur.

Senatori Scott i ka përmendur të gjitha këto rreziqe, si dhe kualitetin e hudhrës së rritur në vendet e huaja, “sidomos në Kinën Komuniste”.

Ai u është referuar praktikave, të cilat, sipas tij, janë të dokumentuara mirë nëpër videot online, si dhe nëpër dokumentare.

Senatori ka pretenduar se ka raste kur hudhra rritet edhe në ujëra të zeza.

Ai ka bërë thirrje që hetimet të kryhen, sipas ligjit që përcakton analizë të importeve specifike për shkak të sigurisë së SHBA-së.

Zyra për Shkencë dhe Shoqëri në Universitetin McGill në Kuebek, e cila tenton të popullarizojë dhe sqarojë çështjet shkencore, ka thënë se “nuk ka të dhëna” që ujërat e zeza përdoren si pleh për rritjen e hudhrës në Kinë./REL