Selmanaj: Po të ishte Kurti i përgjegjshëm do të kishim qeverisur tetë vjet, e trajtoi LDK’në si leckë

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka folur sërish për raportet që kishin më Albin Kurtin derisa ishin partnerë qeverisës duke thënë se ishte fajtori kryesor për rrëzimin e Qeverisë së kaluar.

“Qeverinë Kurti e ka rrëzuar Kurti, jo LDK-ja. Po të sillej Kurti përgjegjshëm në kontekstin e brendshëm dhe jashtëm siç i takon një burrështetasi, me LDK-në do të qeveriste tetë vjet jo jo katër. Ai e filloi shkarkimin pa bazë dhe arsye, vendosjen e dilemave në raportet ndërkombëtarë dhe rrezikimin e proceseve të rëndësishme. Për këtë SHBA madje vendosi sanksione të fondeve MCC. LDK nuk rri me asnjë parti që provon të lëkundë themelet e raporteve kruciale me SHBA-në”.

Selmanaj në Rubikon tha se Kurti ka provuar ta shfrytëzojë LDK-në si leckë e më pas ta lë të në margjinat e historisë.

“LDK-ja ka pasë situatën kështu që ose të pranojë të jetë një parti që i subkoordinohet partisë së Kurtit duke u trajtuar si një leckë – e që nga ana tjetër kishte potencialin më të madh edhe me kuadro sepse VV e kishte pasë punën e parë në Qeverinë e Kosovës”.

“Përpjekja e Kurtit ishte që LDK-në ta shihte si një parti që i shërben atij jo vendit, sepse arazhmanet e tyre kanë qenë që LDK-në ta trajtojë si i nevojitet atij dhe në fund të mbetet në margjinat e historisë. Kushdo që ka menduar se LDK-ja mund ta vendosë në margjina, ka gabuar. LDK është boshti i shtetësisë së Kosovës”.

Selmanaj tha se LDK pavarësisht që ka udhëhequr në të kaluarën s’ka njerëz të partisë që janë prapa grilave për korrupsion.