Deputeti i LDK

Selmanaj për kushtet e Kurtit ndaj Vuçiq: U avulluan për shtatë ditë

“U avulluan për shtatë ditë”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, për tre kushtet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që i paraqiti para mëse një jave për t’u takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Kjo pasi që sot takohen në nivel kryenegociatorësh, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi.

Postimi i Selmanajt:

Kushtet e Albinit për Vuçiçin “avullohen” për 7 ditë.

Kë po përfaqëson Zëvendës-kryeministri Bislimi? A përfaqëson ai kryeministrin Kurti dhe Kosovën?

Më 26 qershor 2024 Albini, duke treguar një qëndrim të ashpër, refuzoi takimin me Vuçiqin dhe vendosi tre kushte për të filluar dialogun. Por çfarë ndodhi më pas?

Vetëm një javë më vonë, sot me 2 korrik 2024, pa u përmbushur asnjë nga kushtet e tij, zëvendës-kryeministri Bislimi shkon në Bruksel dhe dialogon me Serbine. Ky është një shembull i qartë i hipokrizisë dhe mungesës së koherencës dhe konsistencës në politikën e qeverisë së Albinit.

Qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar këtë lojë. Albini luan rolin e të fortit përmes refuzimeve dhe fjalimeve të zjarrta, por pas një jave, pa asnjë kusht të përmbushur, dërgon zëvendësin e tij për të dialoguar me Serbinë. Kjo tregon një mungesë serioze të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë në udhëheqjen e tij.

Albin, ti dhe kushtet e tua nuk qëndruan as një javë.

Cila është vlera dhe çfarë kuptimi ka politika jote nëse dorëzohesh kaq shpejt?