Selmanaj: Manastiri mos të del pengesë për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë – kjo është rrugë që lidh tri shtete

Ish-kryetari i komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, ka folur për ndërprerjen e punimeve në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

Selmanaj në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë se qëndrimet e Igumenit të Manastirit të Deçanit Sava Janjiç, janë destruktive.

Ai theksoi se procedurat e ndërtimin të rrugës transit kishin filluar nga koha kur kryeministër ishte Agim Çeku.

“S’ka mosmarrëveshje. Në fakt qëndrimet e Manastirit, të Sava Janjiçit janë destruktive. Nuk mendoj që ligji mund të jetë pengesë që kjo rrugë të ndërtohet. Unë dëshiroj të kthehem pak para kur kryeministër ishte Agim Çeku. Në atë kohë janë zhvilluar të gjitha  procedurat për ndërtimin e rrugës transit”.

“Mirëpo edhe në atë kohë ka ndërhyrë Manastiri, dhe Ambasadat me ndikim në Kosovë e kanë ndaluar ndërtimin e rruges. Pra, ka qenë rrugë e ndaluar nga politikat e Manastirit”.

Ish-kreu i Deçanit shtoi se është angazhuar personalisht për ndërtimin e kësaj rruge, duke marrë edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve dhe vet Igumenit Janjiç.

“Mirëpo jam angazhuar edhe personalisht, kam marrë përkrahje ndërkombëtare, në fund është pajtuar edhe Sava që të filloi ndërtimi i rrugës tranzit”.

“Në atë kohë i kemi asfaltuar diku 2,5 kilometra rrugë dhe dy të tjera janë hapur. Mirëpo dy vjet ma vonë ndërkombëtarët insistonin që të kem raporte të mira me Manastirin dhe në një moment u kam thënë që nuk është e mundshme që të kem raporte të mira përderisa pengohet ndërtimi i rrugës”.

“Në takim kanë qenë përfaqësuesit e  Ambasadave me ndikim në Kosovë dhe gjenerali i KFOR-it në atë kohë dhe jemi pajtuar dy kilometër e gjysmë deri tek ura e vendosur nga KFOR të ndërtohet rruga. Pra, kemi një marrëveshje të nënshkruar nga unë dhe Sava Janjiçi”.

Selmanaj tha se nëse Janjiç e ka shkelur ligjin, atë ta bëj përsëri edhe tani.

Por, ai thotë se ligji në këtë rast nuk është shkelur.

“Nëse e ka shkelur ligjin atëherë le ta shkel edhe njëherë. E vërteta është që nuk e ka shkelur ligjin. Prandaj nuk është mirë që Manastiri të del në pengesë, sepse është në të mirë edhe të Manastirit por edhe jo vetëm të qytetarëve të Kosovës. Kjo është rrugë që i lidh tri shtete”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka komentuar edhe mundësinë e diskutimit të kësaj rruge edhe në Bruksel në dialogun me Serbinë.

Selmanaj tha se ky do të ishte një gabim katastrofal nëse do të ndodhte kjo, sepse kjo rrugë i takon Kosovës.