Selmanaj: Kurti adoleshent politik, qeveria Hoti themeloi para dy vitesh Zyrën për Luginën e Preshevës

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ka kritikuar vendimin e kryeministrit Kurti për emërimin e ish-kryetares së Preshevës, Ardita Sinani si Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Përveç që e quajti Kurtin adoleshent politik, Selmanaj theksoi se në shtator 2020 qeveria Hoti ka votuar themelimin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës në kuadër të ZKM-së.

“Albin Kurti promovon si ide dhe vendime të reja diçka që para dy vitesh Qeveria Hoti i ka marrë” – shkroi ndër tjerash Selmanaj.

Lajmi i plotë:

Adoleshenca politike dhe logjika primitive e disa politikanëve ballkanas i dërgon të tillët në përfundimet se historia e një vendi fillon me ta dhe nga ta.

Albin Kurti promovon si ide dhe vendime të reja diçka që para dy vitesh Qeveria Hoti i ka marrë.

Me 28 shtator 2020 Qeveria e Kosovës më qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre.

Me qëllim të zbatimit të këtij vendimi me 13 janar 2021 qeveria Hoti ka miratuar edhe planin e punës për këtë Zyre, ku janë përcaktuar dhe detyrat konkrete për ministritë e caktuara.