Selmanaj kapet me KTV’në: S’pajtohem të transmetohen seriale turke në moment historik për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, gjatë një paraqitje në KTV ka thënë se nuk pajtohet që ky medium ka transmetuar një serial turk, derisa në Uashington Kosova nënshkroi marrëveshje për një sër çështjes, në prani ta presidentit amerikan, Donald Trump.

Të premten në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ka nënshkruar marrëveshje, e cila definon çështje në lidhje me Serbinë, si dhe i solli njohjen nga Izraeli.

Selmanaj në një Intervistë për Interaktiv tha se kësaj ngjarjeje duhet t’i gëzohet kushdo në Kosovë.

“Gëzohuni ju, studioja juaj, kompania, televizioni juaj dhe kushdo në Kosovë. Nuk dua ta personalizoj, por s’mund të pajtohem përderisa ndodh një ngjarje e madhe historike për Kosovën dhe në atë kohë të transmetohen në Kosovë seriale turke”, është shprehur Selmanaj.

Gazetarja që po e realizonte intervistën i tha zv. kryeministrit se po e kthente bisedën në “personale”.

Tutje, Selmanaj tha në Uashington u kthye partneritet i ngushtë në mes të Kosovës dhe SHBA’së. Partneritet ky që, sipas Selmanajt, ishte në rrezik para tre muajsh për shkak se u fye SHBA dhe emisari i posacëm i Trump, Richard Grenell.

“Erdhëm në Uashington ku askush nuk na i përmendi thikat në harta. Por, vetëm zhvillimin ekonomik. U kthyem tek partneriteti i ngushtë me SHBA’në. Para tre muajsh u vu në pikëpyetje ky partneritet, ku fyenin SHBA’në dhe ambasadorin Grenell”, ka thënë Selmanaj.

Gjithashtu Selmanaj tha se e rëndësishme është që Kosova ka vendosur raporte bilaterale me shtetin e Izraelit.

“Kemi vendosur raporte bilaterale me një shtet të fuqishëm siç është Izraeli. Kjo është e rëndësishme. Ndërkohë që nuk janë të rëndësishme detajet me të cilat ju po provoni ta relativizioni këtë çfarë është arritur sot. Mund të mos pajtoheni me emra individual të kësaj qeverie, mirëpo suksesi është i Kosovës”, shtoi Selmanaj.