Selmanaj: Gabim i madh nëse s’ka pasur konsultë me miqtë ndërkombëtar për aplikimin në KiE

Me 12 maj Kosova pat aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. E, lidhur me këtë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se nëse s’ka pasur konsultë me ndërkombëtarët lidhur më këtë aplikim, Kosova mund të ketë bërë gabimin më të madh strategjik.

“Por nëse ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë duhet të bëhen aktivitete të mëdha lobimi me të gjitha shtete mike sidomos me ato që janë shumë të fuqishme, tha ai.

Ai tha se kryministri Kurti duhet të shkoj në adresa të fuqishme të vendimmarrjes, e jo të vizitojë fabrika çokollatash dhe shoqata të taksive nëpër botë, duke shtuar se kjo Qeveri nuk ka gatishmërisë për t’i dalë ballë proceseve të mëdha për Kosovën.

“Unë akoma dua të besoj që para se të aplikojmë ka pasur një dakordancë me miqtë tanë ndërkombëtar. Nëse kjo ka ndodhur pa konsultë me ta kemi bërë gabim të madh strategjik. Akoma dua të besoj që ka pasur një farë konsulte, sepse duke e parë sjelljen e papërgjegjshme të politikës së jashtme të Kosovës dhe Qeverisë kam shumë dilema se a ka pasur konsulta apo jo”, tha ai për EkonomiaOnline.

Sipas tij, pasi ka ndodhur aplikimi, atëherë duhet të bëhen aktivitete të mëdha lobilmi në shtete mike dhe ato me ndikim politik.

“Meqenëse kjo ka ndodhur duhet të bëhen aktivitete të mëdha lobimi me të gjitha shtete mike sidomos me ato që janë shumë të fuqishme, por edhe ato të cilat janë anëtare të Këshillit të Evropës, të bëjnë gjithçka që ajo punë të mbyllet në aspektin pozitiv për neve”, tha ai.

Sipas Selmanajt, nëse një lobim i tillë nuk ndodhë, atëherë është fatkeqësi.

“Nëse jo është fat i keq për Kosovën që kjo çështje të prolongohet dhe vetë prolongimi për Kosovën është i dëmshëm. Doli një aktivitet i madh edhe i kryeministrit. Kurti s’duhet të shkoj të vizitojë fabrika çokollatash dhe shoqata të taksive nëpër botë, por duhet të shkoj në adresa të fuqishme të vendimmarrjes të cilët më pas do të rezultonin me një vendim pozitiv për Kosovën. Prej kësaj qeverie nuk pres asgjë. Aktualisht këta nuk po më bindin që kanë minimumin e gatishmërisë për ti dalë ballë proceseve të mëdha për Kosovën”, tha Selmanaj.

Kujtojmë se aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.