Ish-kryediplomati Petrit Selimi ka reaguar pas deklaratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku dënohen veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri.

Selimi përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, ka thënë se kryeministri Albin Kurti synon “çmontimin e varësisë së Kosovës nga ShBA-ja”.

Ky pozicion, sipas tij është shumë i rrezikshëm.

“Vizioni i Kurtit për Republikën e Tretë (sipas imazhit të tij) në terma afatgjatë nënkupton çmontimin e Ahtisaarit, të cilin ai e ka urryer gjithmonë e haptazi dhe çmontimin e varësisë së Kosovës nga SHBA-ja, për të cilën edhe ai ndjehej i fortë. Mjerisht, është një pozicion tepër i rrezikshëm, i bazuar në mendjemadhësi…” – ka shkruar ai.

Kurti’s vision for the Third Republic (in his own image) in the long term means dismantling of Ahtisaari which he always and openly hated and dismantling of Kosovo’s dependency on US which he also felt strong about. Alas, it’s an incredibly dangerous position, based on hubris… https://t.co/Q3KOZRDDrh

— Petrit Selimi (@Petrit) August 31, 2024

Ndryshe, në një deklaratë të gjatë, Ambasada Amerikane mbrëmjen e së premtes është shprehur e shqetësuar dhe e zhgënjyer me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri.

“Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.” – shkruan mes tjerash.