Selimi: Aleatët po kërkojnë shtyrje për targat për t’u fokusuar te marrëveshja finale

Petrit Selimi, shefi i Fondacionit të Sfidave të Mileniumit (MCC), ka thënë të hënën se aleatët perëndimorë të Kosovës po kërkojnë shtyrjen e vendimit të Qeverisë për targat në mënyrë që dialogu të fokusohet në marrëveshje finale.

Më 31 tetor skadon afati kur serbët e Kosovës duhet të konvertojnë targat prej “KM” në “RKS”.

E emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak i kanë kërkuar Kurtit që ta shtyejë vendimin.

Por Kurti nuk ka vendosur ende për këtë. Në lidhje me këtë Selimi thotë se “Kosova ka nevojë për marrëveshje afatgjate“.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka pjesën e menaxhimit të krizës dhe komponentin afatgjatë. Aleatët perëndimorë po bëjnë presion Kosovës për të shtyrë vendimet për çështje të tilla si targat e makinave, në mënyrë që të ketë fokus në një marrëveshje afatgjatë që do të reduktonte në masë të madhe potencialin për krizë të ardhshme. Ne kemi nevojë për marrëveshjen përfundimtare”, ka shkruar ai në Twitter.

Perëndimi po kërkon nga Kosova dhe Serbia që ta intensifikojnë çështjen e dialogut.