Selim Selimi ishte sot pjesë e takimit Kosovë-Serbi në Bruksel, si përfaqësues i AAK-së. Me anë të një postimi në Facebook, ai ka treguar se për çfarë është biseduar në këtë takim.

“Si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot isha pjesë e delegacionit kosovar, të udhëhequr nga Kryeministri Hoti, në takimin e parë të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, ku fokus diskutimi ishte tema e personave të pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve. Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese, që nënkupton njohjen ndërmjet dy shteteve në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Selimi.

Ai ka thënë se tani duhet adresuar edhe dëmet e luftës dhe çështjet e hapura mes dy shteteve. “Tani është koha për të arritur progres dhe për mbylljen e çështjeve të hapura ndërmjet dy shteteve, adresimin e dëmeve të luftës dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat”, ka shtuar Selimi.