Selakoviq: Situata është e tensionuar, Kurti është i paparashikueshëm

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, në prag të raundit të ri të negociatave midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se situata është e tensionuar dhe “e rënduar nga mendjelehtësia e zyrtarëve të Prishtinës”.

Selakoviq i tha televizionit TV Pink se kryeministri i Kosovës është një “figurë e paparashikueshme” nga e cila nuk mund të pritet asgjë e mirë, por se Serbia ka “negociatorin më të mirë të mundshëm”.

“Situata është shumë e tensionuar dhe e rënduar nga një mendjelehtësi e tillë dhe një sjellje e tillë e zyrtarëve të Prishtinës. Kjo është shkak për shqetësim”, tha Selakoviq.

Ai vlerësoi se Serbia ka negociatorin më të mirë të mundshëm dhe pretendoi se shteti serb avokon për “paqe dhe stabilitet në rajon”.

Raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilin do të negociojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 18 gusht në Bruksel.