Selakoviq në panik pas raportimeve se pritet ndryshim drastik i pozicionit të Spanjës për Kosovën

Pas raportimit të gazetës spanjolle “The Objective” se Spanja po përgatitet ta njoh pavarësinë e Repbulikës së Kosovës, ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, në një organizim të OSBE-së ka takuar ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Albares.

Selakoviq ka thënë se është mirënjohës ndaj Spanjës për siç ka thënë ai “përkrahjen për integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë”.

“Në margjina të Këshillit Ministror të OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Albares. Bashkëpunimi ekonomik Spanjë-Serbi, rruga evropiane e Serbisë, Kosova ishin çështjet që u diskutuan. Ne i jemi mirënjohës Spanjës për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe parimore ndaj “integritetit territorial dhe sovranitetit të të Serbisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Gazeta spanjolle “The Objective” para disa ditëve shkruante se kreu i Qeverisë së Spanjës, Pedro Sanchez, është duke përgatitur një kthesë historike sa i përket pozitës së Madridit zyrtar për Republikën e Kosovës. Sipas kësaj gazete spanjolle një lëvizje e tillë do të nënkuptojë edhe pranimin de-fakto të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Një raportim të tillë “The Objective” e mbështet në burime diplomatike të cilat thonë se Spanja pritet që të hap një Zyrë Tregtare dhe Kulturore në Prishtinë. Gazeta thotë se një veprim i tillë do të bëhet duke ndjekur modelin e Franco-s me BRSS-në, pra pa nënkuptuar njohjen e plotë.