Maqedoni

Sela: Jo të falen dhunuesit e 27 prillit – më mirë të bëjmë pajtimin shqiptaro-maqedonas

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sot nëpërmjet një konference për shtyp ka porositur se është kundër idesë për falje apo amnisti për të përfshirët në dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë. Në vend të kësaj, Sela ka kërkuar një marrëveshje shqiptaro-maqedonase që “përfundimisht të mbyllen të gjitha çështjet e hapura që janë treguar se janë burim i ndasive ndëretnike”, transmeton Gazeta Express.

“Jemi kundër amnistimit të dhunuesve sepse përveç tjerash kjo do të ishte një shembull dhe praktikë e keqe, sepse vetë akti i amnistimit do jepte porosinë që në të ardhmen pas çdo vendimi që do miratojë Kuvendi mund të futen njerëz në Kuvend dhe të rrahin e dhunojnë të zgjedhurit e popullit”, tha Sela.

Ai, sipas raportit të portalb.mk, propozon që në vend të amnistimit të dhunuesve, partia e tij është e gatshme që të bëjë kompromise për një pajtim mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve, për barazi të plotë dhe gjithëpërfshirëse.

“Aleanca është e gatshme të bëjë kompromiset e saj, por me një marrëveshje shqiptaro-maqedonase, që përfundimisht t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura e që janë treguar se janë burim i ndasive ndëretnike. Ne jemi për falje, por ajo të jetë një pajtim nacional mes maqedonasve dhe shqiptarëve të bazuar në një marrëveshje mes dy komuniteteve më të mëdha për një barazi të plotë dhe gjithëpërfshirëse”, porositi Sela.

Më 27 prill të vitit të kaluar, pas votimit të Talat Xhaferit për kryetar të ri të Kuvendit të Maqedonisë, huliganë maqedonas me maska vërshuan sallat e shtëpisë legjislative ku demoluan gjithçka, por edhe rrahën dhe keqtrajtuan gazetarë, punëtorë të shërbimeve kuvendore dhe deputetë e funksionarë.

Ai që pësoi më së keqi dhe që pothuajse u vra pas rrahjes nga hordhitë maqedonase që pushtuan Kuvendin atë natë. ishte pikërisht Ziadin Sela.