Sekretari i NATO-s: KFOR-i në Kosovë për të zvogëluar tensionet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se misioni i KFOR-it do të vazhdojë të funksionojë në Kosovë dhe se këta të fundit kanë reaguar edhe me rastin e ngjarjeve të fundit në liqenin e Gazivodës.

Stoltenberg ka deklaruar se për këtë rast kanë dëgjuar menjëherë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq porse kanë folur me të gjithë liderët e tjerë, edhe me ata në Kosovë.

“Për këtë arsye është e domosdoshme që KFOR-i është në Kosovë, për të reaguar dhe për të mbrojtur të gjithë kur është e nevojshme”, ka thënë Stoltenberg.

Ai shtoi se KFOR-i duhet të vazhdojë praninë e saj në Kosovë në mënyrë që të zvogëlojë tensionin dhe dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të ketë mbështetjen e tyre.

Këto komente Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri gjatë qëndrimit të tij në Serbi, ku zhvilloi takime me presidentin serb, Vuçiq.

Ka thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është platforma më e mirë për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.