Ditë më parë, Ballkani.info ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me strukturën e re organizative në këtë ministri, respektivisht organogramin e ri të ministrisë.

Sipas informacioneve që ka portali ynë, pas aprovimit të strukturës organizative, ka filluar të bëhet bëhet riorganizimi dhe emërimi i zyrtarëve në pozita udhëheqëse dhe pozita tjera.

Ballkani.info e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se a qëndron fakti se dy asistentet që deri tash kanë shërbyer në zyrën e Sekretarit të Përhershëm, Naim Bardiqi, janë emëruar Shefe të Divizioneve? Njëra asistente është emëruar shefe e buxhetit dhe tjetra shefe e divizionit për akreditim të institucioneve shëndetësore?

Në përgjigjet e kthyera, MSH-ja nuk i ka hedhur poshtë këto informacione.

“Sa i përket aprovimit të strukturës organizative dhe organogramit të Ministrisë së Shëndetësisë, ju informojmë se është aprovuar rregullorja e re në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Ministria e Shëndetësisë ka marr veprimet për përshkrimin e detyrave të punës sipas organogramit të rregullores në fuqi”, thuhet në përgjigjen hyrëse të MSH-së.

Më pas, kjo ministri thekson: “Pas nxjerrjes se vendimit për ri sistemimin nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik në MPB, përsëri, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, përmes një komisioni të përbashkët mes MSH dhe DMZP do të bëhet ri sistemimi i vendeve të punës. Deri në fazën e risistemimit dhe pastaj rekrutimi në përputhje me strukturën e stafit të ri, respektivisht pozitave vakante, Sekretari i Përgjithshëm në përputhje me kompetencat, ka caktuar disa nga zyrtarët në pozitat e ushtrueseve të detyrave, ndër të tjera asistenten që ju e mendoni, nuk është asistente por është Analiste e lartë e buxhetit dhe e njëjta është emëruar në pozitën e U.D. Udhëheqëse e Divizionit për Buxhet, sipas organogramit”.

Tutje MSH-ja e pranon se asistentja ekzekutive në Zyrën e Sekretarit është emëruar U.D. Udhëheqëse e Divizionit për Licencim të Institucioneve Shëndetësore.

“Ndërsa Asistentja ekzekutive në Zyrën e Sekretarit është emëruar U.D. Udhëheqëse e Divizionit për Licencim të Institucioneve Shëndetësore, mirëpo që nga vitit 2021 e njëjta ka qenë U.D. Udhëheqëse e Divizionit për ShSKUK”, thotë MSH-ja.

Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Arben Vitia, në fund të përgjigjes i jep vetës të drejt edhe të gjykojë njërën nga pyetjet tona dhe thotë kështu: “Pyetja e juaja është komplet e huqur pasi që kemi të bëjmë me një Zyrtare të Lartë për Buxhet dhe Financa dhe jo me një asistente administrative siç keni theksuar ju. Sa i përket përvojës se punës të U.D. Udhëheqëses së Divizionit për Financa, e njëjta ka përvojë pune mbi 5 vite”.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë nuk e specifikon se a ka përvojë pune pesë vjeçare në këtë institucion, pasi që informacionet tona thonë se e njëjta nuk e ka as një vit përvojë pune me kontratë në Ministrinë e Shëndetësisë. /Ballkani.info/