Sekretari i Ministrisë së Financave: Nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, s’do të paguhet

Greva për rritje page e punëtorëve në sektorin publik e nisur të enjten, ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Sekretari i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë.

Spahiu theksoi se grevistëve iu kanë garantuar të drejtën e grevës, por, siç tha ai, i kanë njoftuar që duhet zbatuar edhe dispozita ligjore, që sipas tij, kërkon pezullimin e obligimeve të kontratës së punës.

Në Ligjin për greva të Kosovës thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.

Neni 18 i Ligjit për greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Por, sipas Ligjit për greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është i kundërligjshëm.

Kushtrim Palushi, jurist, i tha Radios Evropa e Lirë se sipas këtij neni të Ligjit për greva, një punëtor kur është në grevë nuk mund të kërkojë pagesë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate për media i ka quajtur kërcënime deklaratat e dhëna nga Qeveria e Kosovës përkatësisht sekretari i Ministrisë së Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu.

Sipas BSPK-së, kërcënimet që po iu bëhen, janë të kundërligjshme.

“T’i kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre, është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe, mbi të gjitha, marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh”, thuhet në deklaratën për media të BSPK-së.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nëpërmjet një komunikate për media, thotë se kërcënimet e bëra nga përfaqësues të Qeverisë për grevistët janë shkelje e të drejtave të njeriut.

“Organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohet me ligj. KMDLNJ-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës t’i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.