Sekretari amerikan i Shtetit viziton një xhami në Stamboll

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka vizituar xhaminë e Rrustem Pashës në Stamboll.

Më parë kishte vizituar edhe patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeu i Parë, duke e konsideruar si “të parin në mesin e të barabartëve” në botën ortodokse.

Vizita e Pompeos në Turqi përfshin edhe takime me liderë fetarë, por jo zyrtarë qeveritarë.

Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit kanë thënë se mungesa e takimeve me liderë të Turqisë ka ardhur për shkak se vizita ishte planifikuar shpejt e shpejt.

Ata kanë thënë shefi i diplomacisë amerikane kishte kërkuar takime me ta, porse zyrtarët turq nuk mund të vinin nga Ankaraja gjatë kohës sa Pompeo qëndroi në Stamboll.

Pompeo ka bërë thirrje për promovimin e tolerancës fetare në kohën kur janë shtuar sulmet terroriste me motive religjioze.