Sejdiu: ZRRE mos të bëhet dorë e zgjatur e zhvatësve duke dëmtuar qytetarët

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka reaguar ndaj dokumentit të Zyrës së Rregullatorit për Energji “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit”, duke thënë se për interesa të Contour Global, ZRRE po ndihmon rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.

Sipas tij, ZRRE me dokumentin “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit”, ka bërë hapin e rradhës në legjitimimin e kontratës më të dëmshme ekonomike, financiare e energjetike për Kosovën, atë të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, me Contour Global.

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka vënë në diskutim publik këte dokument i cili mëton të ndihmojë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke u siguruar që krejt barra e kostoja t’iu vihet bizneseve e qytetarëve.

Emri me të cilin ZRRE ledhaton konsumatorët është “TAKSA PËR SIGURI TË FURNIZIMIT”, taksë kjo e cila do të paguhet nga të gjithë furnitorët e licencuar tek Ndërmarrja e Re (NKEC).

E, këtë taksë në fund do ta paguajnë qytetarët e Kosovës përmes çmimeve të dyfishuara të energjisë elektrike. Partia Socialdemokrate ka ftuar në interpelancë Ministrin e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me themelimin e Ndërmarrje së Re (NKEC) mu për shkak të monstrumit energjetik që po tentohet të kontrabandohet me këso dokumente, e këso ndërmarrje, të cilat të vetmin qëllim e kanë kamuflimin e kostos që ne si qytetarë do ta mbajmë në supet tona me ndërtimin e këtij termocentrali.

Detyra dhe mandati i vetëm i ZRRE është të ruaj interesin publik duke garantuar funksionimin e tregut me konkurrencë të lirë dhe duke u siguruar që tregu energjetik i Kosovës mund të jetë pjesë një treg të integruar rajonal.

Me këtë orvatje ZRRE është vendosur qartazi dhe në mënyrë paekuivoke në anën e kontratës që ka nënshkruar Qeveria me Contur Global, e kështu edhe në kundërshtim me mandatin e saj.

Kontrata me Contour Global do ta izolojë Kosovën nga tregu rajonal e evropian, do të ngrisë çmimet për gjithë konsumatorët, dhe rrjedhimisht do ngrisë koston e furnizimit me energji edhe për ndërmarrje prodhuese, e që do ulë potencialin për të zhvilluar biznese e ndëramarrje që krijojnë vende të reja të punës”, ka shkruar ai në Facebook.