Deputeti i Partisë Social Demokrate i ka reaguar Avdullah Hotit nga LDK, për deklaratat e fundit të tij ku kishte thënë se PSD është partneri më i ri i koalicionit PAN.

Sejdiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i ka përmendur Hotit kohën kur PSD ka qenë në opozitë, ndërsa Hoti sipas Sejdiut, vraponte për t’ia siguruar votat Thaçit që të bëhej President.

Postimi i plotë:

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti flet për legjitimitet dhe për deformim të vullnetit politik. Pajtohem në kompetencën e tij për këtë temë, apo së paku me përvojën.

Nuk është e largët koha kur vraponte me ia siguru votat Hashim Thaçit për ta zgjedhur President të Republikës dhe kur partia e tij doli e treta në zgjedhjet e fundit parlamentare në të cilat referohet.

Ishim opozitë, asokohe kur LDK-ja e Avdullah Hotit ishte edhe një herë në pushtet me PDK. Jemi opozitë, sot që dëshmojmë sërish se dallojmë nga LDK-ja se si e bëjmë politikën, me rezultate konkrete, në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.