Seanca shtyhet për nesër

Seanca e Jashtëzakonshme që ka filluar sot në orën 10:00 të mëngjesit dhe është duke vazhduar ende në Kuvendin e Kosovës si duket ka ardhur në përfundim.

Deputeti i fundit që morri fjalën ishte Liburn Aliu nga radhët e Vetëvendosjes.

Seanca ishte thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për tu diskutuar rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por seanca vazhdoi për orë të tëra pasi që tema e dialogut u la anash.

Kryeparlamentari ka ftuar propozuesin e çështjes, deputetin Avdullah Hotin, i cili ka propozuar rezolutën e përpiluar nga grupi i LDK-së.

Pas propozimit nga ana e grupit parlamentar të LDK-së, qëndrimet partiake i kanë shprehur edhe grupet parlamentare të tjëra.

Nga radhët e PDK-së, ka folur deputeti Memli Krasniqi, i cili ka thënë se ka shprehur dëshirën që të gjitha partitë ta bëjnë një rezolutë të përbashkët duke involvuar edhe pikët që ai sot i kishte përmendur.

“Ne nuk kemi propozuar rezolutë, ne kemi propozuar pika për rezolutë të cilat kemi pritur se do jenë pjesë e kësaj rezolute por kjo nuk ka ndodhur nga ana e iniciuesve në këtë rast të opozitës. Dëshiroj të dëgjoj nga opozita se cilat pika i ka kundërshtuar dhe pse. Të ulemi bashkë dhe t’i diskutojmë këto pika që të arrijmë në harmonizimin e një teksti që përfaqëson vullnetin e shumicës, normal nëse opozita ka për qëllim arritjen e kësaj çështje” tha Krasniqi, transmeton ballkani.info.

Bilall Sherifi nga radhët e NISMA-s, tha se po të ishte në vendin e opozitës do të lejonte mazhorancën të fuste edhe 10 pika të tjera në propozim rezolutë, vetëm që të theksohet se territori Kosovës është i panegociueshëm.

“Shpresoj që sot pas përfundimit të debateve televizive, të ulemi nesër dhe të arrijmë një përfundim që është në të mirë tonë dhe jo në dëm të Kosovës. Opozita ka nevojë për mazhorancën dhe mazhoranca ka nevojë për opozitën, kështu që të arrijmë marrëveshje së bashku” përfundoi Sherifi.

Pas qëndrimeve nga ana e partive të mazhorancës, Kryeparlamentari Veseli ka propozuar nëse pranojnë partitë opozitare që të shtyhet seanca për nesër, pasi që në Kuvend ka vetëm 51 deputetë prezent. /ballkani.info/