Seanca dramatike e Kuvendit të Kosovës, asnjë reagim nga kryeministri Kurti

Kuvendi i Kosovës dje ka zhvilluar një nga seancat më dramatike, ku për pak sa deputetët nuk u rrahën mes vete.

Seanca nisi qetë në fillim me pyetjet e deputetëve, por nuk vonoi shumë dhe situata eskaloi.

Për rritjen e tensioneve, shërbeu një deklaratë e dhënë për media vite më parë nga tani Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ish-krerët e PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët i kishte cilësuar si njerëz të krimit

Krejt ajo çka ndodhi në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur reagime të shumta të spektrit politik.

Mirëpo, është kryeministri Kurti, ai i cili ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për zhvillimet e djeshme, ku deputetët e VV-së, e PDK-së, për pak sa nuk u përleshën fizikisht mes vete.

Ndërkohë, në media kanë folur edhe vetë protagonistët e përfshirë në zhvillimet e djeshme. Ishte Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ai i cili ishte një nga kryeprotagonistët e përplasjes.

Ai në Debat Plus, ka thënë se  reagimi i tij ndaj Memli Krasniqit erdhi pasi ai iu vërsul ministres Donika Gërvalla me fjalët: analfabete dhe katastrofë.

Ministri  Peci thotë se ai nuk kishte asgjë personale me askënd por nuk mund t’i duronte fyerjet ndaj Donika Gërvallës.

Versionin e tyre rreth kësaj ngjarje e kanë dhënë edhe deputetët e Partisë Demokratike. Ardian Kastrati ka thënë se duke dalë nga salla e Kuvendit, ata janë ndaluar të dalin nga deputetët e Vetëvendosjes.

Ai po ashtu tha se janë ofenduar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, fjalë të cilat, Kastrati u shpreh se nuk mund t’i thotë.

Derisa opozita ka hedhur akuza në drejtim të deputetëve të pozitës, këta të fundit thonë se janë provokuar nga deputetët e PDK-së.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari ka thënë se deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi i ka ofenduar me sharje e fjalë të rënda. Sipas saj,  ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, po krijojnë kauzë të rreme ndaj deputetëve dhe zyrtarëve të Qeverisë.

Gjatë ditës ka reaguar edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se qasja e VV-së ndaj opozitës është arrogancë e numrave.

Asnjë reagim nuk ka pasur as nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili dje nuk ishte duke e udhëhequr seancën. Në vend të tij, seanca udhëhiqej nga nënkryetarja Saranda Bogujevci.