Së shpejti pritet të fillojë ndërtimi i parkingut nëntokësor në kryeqytet, Ahmeti jep detaje rreth projektit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot ka bërë të ditur që shumë shpejt do të fillojë implementimi i parkingut nëntokësor në qendër të kryeqytetit.

Ahmeti në një konferencë për medie, ka thënë se rreth 30% e kaosit në komunikacion bëhet nga veturat të cilat janë duke kërkuar një vend parkimi, por kjo do të marrë fund së shpejti..

Ai ka njoftuar se Komuna e Prishtinës do të krijojë edhe aplikacionin i cili do të tregojë se ku ka vendparkim të lirë, për të shmangur kështu kaosin në trafik.

Projekti i parkingut nëntokësor të Prishtinës do t’i ketë përafërsisht 700 vende të parkimit dhe do te ketë një hapësirë mbi 13 mijë metra katrorë.

Ahmeti ka paralajmëruar se pas përfundimit të projektit, më nuk do të lejohen parkimet e veturave në hapësira mbitokësore e në trotuare, pasi që parkingu nëntokësor pritet të ketë një numër të mjaftueshëm të vendeve për parkim.

Kompania e cila do të merret me kryerjen e punëve, ka thënë se parkingu do të përfundojë për 18 muaj, por Ahmeti shprehet optimist se nëse aktivizohen më shumë, ka gjasa të përfundojë edhe më shpejt.