Kancelari gjerman

Scholz në Konferencën e Sigurisë: Moska nuk ka arritur asnjë nga objektivat e saj

Fokusi i Konferencës së Sigurisë në Mynih të shtunën është drejtuar tek krizat botërore: lufta në Ukrainë, situata e rrezikshme në Lindjen e Mesme, marrëdhënia transatlantike. Scholz i drejtohet në Mynih edhe Izraelit.

Në kryeqytetin bavarez Mynih, ku zhvillohet Konferenca e Sigurisë, (16-18.02) të shtunën janë vendosur në qendër krizat aktuale botërore, lëkundja e mbështetjes amerikane për Ukrainën në SHBA, rreziku i shtrirjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, e ardhmja e marrëdhënies transatlantike, Kina e vështirë dhe ndryshimi i klimës.

Kancelari Scholz në fjalimin e tij para 50 krerëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë në Konferencën e 60- të Sigurisë i bëri thirrje qartazi Izraelit para një ofensive të pritshme tokësore në Rafah kundër Hamasit islamist terrorist të respektojë të drejtën ndërkombëtare. “Ne nuk e respektojmë të drejtën ndërkombëtare dhe rregullat e saj, vetëm sepse kemi nënshkruar disa marrëveshje, Kjo është diçka sipas qëndrimit tonë që rrjedh nga humaniteti dhe ajo se si duam të jemi dhe si duam të shohim veten.”

Blinken: Izraeli ka “shans të jashtëzakonshëm” për të ardhme në paqe

(E akt.)Në Mynih Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kancelari gjerman, Scholz, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e siguruan Izraelin për mbështetje në luftë kundër Hamasit, që kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera si organizatë terroriste. Por janë shtuar edhe kërkesat e mjaft shteteve që Izraeli nga njëra anë të furnizojë më mirë popullsinë civile në Gaza, nga ana tjetër të kërkojë rrugë për ndalimin e luftimeve. Antony Blinken tha në Mynih se Izraeli ka “shansin e jashtazakonshëm” e një të ardhmjeje në paqe, nëse gjen zgjidhje mirëkuptimi me fqinjët e tij.

Scholz: Gjermania e vendosur të mbështesë Ukrainën

Në fjalimin e tij, Scholz e vuri theksin tek ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe shpresa për luftën kundër Rusisë. Moska “nuk ka arritur asnjë në objektivat e saj ushtarake”, tha Scholz. Më tej kancelari gjerman la të kuptohej megjithatë, se pavarësisht “humbjeve të jashtëzakonshme” pjesë të mëdha të forcave ushtarake ruse janë “në funksionim”. Prandaj Gjermania është e “vendosur” të vazhdojë më tej rrugën për mbështetjen e Ukrainës. Vetëm nëse europianët janë të besueshëm në mbështetjen e tyre për Ukrainën, “Putin do të kuptojë, se nuk do të ketë një paqe të diktuar me urdhër të Moskës.”

Scholz u bëri thirrje europianëve të orientohen nga SHBA për ndihmat ushtarake për Ukrainën. “Një përpjekje e ngjashme do të ishte më e pakta që mund të bëjë secili vend europian. Gjermania është pas SHBA mbështetësja më e madhe ushtarake e Ukrainës. Scholz u takua në kuadër të Konferencës së Sigurisë edhe me zëvendëspresidenten amerikane, Kamala Harris, presidentin e Izraelit, Isaas Herzog, presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe Mbretin jordanez, Abdullahu II.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kërkoi nga SHBA të furnizojë me “ato që ka premtuar”. Dhe se është një “nevojë absolute” që Kongresi Ameriken të vendosë sa më shpejt për ndihmat ushtarake për Ukrainën. Sa më shumë që ky vendim zgjat aq më shumë njerëz ndesin në frontin ukrainas, tha Stoltenberg.

Zelenski: Na mungojnë armë dhe artileri

Lufta në Ukrainë i dha tonin ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë, por të shtunën flitet edhe për konfliktin e Lindjes së Mesme.Për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe agresionit rus e mori fjalën në Konferencën e Sigurisë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski. Presidenti Zelenski gjatë fjalimit të tij në Mynih, foli edhe për vendimin e ushtrisë ukrainase të shtunën për tërheqje nga qyteti lindor Avdijivka. Ai tha se ka qenë një “vendim profesional” me qëllim që “të shpëtohen sa më shumë jetë të jetë e mundur. Presidenti ukrainas e lidhi mungesën e sukseseve ushtarake të Ukrainës në fushën e betejës me mungesën e artilerisë dhe armëve me rreze të gjatë veprimi. Kjo bën që “veprimi ynë të kufizohet”. Zelenski kërkoi më shumë furnizime me armë.

Sipas Zelenskit Ukraina duhet të rifitojë fuqinë ajore për të pasur sërish sukses në frontet e luftës kundër Rusisë. Për këtë nevojiten më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, kërkoi Zelenski.

Vdekja e opozitarit rus, Aleksej Navalny hodhi hije edhe mbi ditën e dytë të konferencës. Ministrat e Jashtëm të G7-s mbajtën një minutë heshtje të një takim të tyre në kuadër të konferencës. Zelenski i quajti vdekjen e Navalnyt “një mesazh të qartë” nga Putini./DW

VIDEO BONUS: Në Mitrovicë zbulohet shtatorja e komandantin legjendar, Adem Jashari