Schmitt deklarohet për tensionet në veri: Vuçiq është i njëjti sikurse në kohën e Millosheviqit

Historiani i mirënjohur zviceran, Oliver Jens Schmitt, njëherësh edhe autor i librit “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” ka vlerësuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është i njëjti me atë çfarë ishte dikur sa shërbente si Ministër i Propagandës në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit.

Ai këto qëndrime i ka dhënë nëpërmjet një interviste për të përditshmen austriake ‘Der Standard’, teksa është pyetur për ngjashmërinë mes përshkallëzimit të situatës në veri dhe agresionit rus në Ukrainë, përcjell Demokracia.com.

“Mund të shihet qartë se pala serbe po e kthen spiralen e përshkallëzimit. Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse ka siguruar Serbinë për mbështetje të plotë. Lidhja mes dy krizave u bë kështu nga vetë Rusia. Në këtë prizëm, tani po vepron qeveria serbe, e cila po krijon një sfond kërcënues. Gjithashtu mund të shihet qartë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka ndryshuar kurrë, ai është ende njeriu që dikur ishte Ministër i Propagandës në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit. Ai përdor edhe gjuhën e kohës”, deklaroi Schmitt.

Historiani zviceran po ashtu ka deklaruar se BE-ja i ka ofruar “konsideratë më të madhe” Serbisë në dialogun me Kosovën. I njëjti ka kërkuar që shtetet perëndimore ta përforcojnë qëndrimin e Kosovës.

“Shtetet perëndimore nuk duhet të kenë interes për të dobësuar qeverinë e Kurtit, aq më tepër që Kosova është një demokraci funksionale, veçanërisht në krahasim me Serbinë. BE-ja dhe SHBA-ja gjithashtu duhet të kenë parasysh se kërkesat e tyre ndaj qeverisë së Kosovës gjithashtu mund të inkurajojnë strukturat paralele serbe dhe potencialisht të destabilizojnë Kosovën”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

I njëjti ka thënë se Kosova nuk mund të ushtrojë sovranitetin e tij në veri dhe “do të ishte e rrezikshme po të tentonte vetë”, duke aluduar që ofrimin e sigurisë t’ia lë misionit të KFOR-it dhe EULEX-it.