SBASHK’u kundërshton testimin e mësimdhënësve, thonë se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë

Ideja për një testim të mësimdhënësve po konsiderohet e gabuar dhe se nuk duhet të ndodhë. Në vend të kësaj propozohet që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit në mënyrë që të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po edhe njohës të fushës së arsimit, thonë se testimi nuk do të prodhonte asnjë rezultat në ngritje të cilësisë së arsimit në Kosovë.

Kundër testimit të mësimdhënësve është kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i cili thotë se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë asnjëherë të bëhet.

“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, thotë ai.

Testimin e mësimdhënësve e kundërshtojnë edhe njohës së fushës së arsimit, të cilët thonë se duhet të ketë një mbikëqyrje të vazhdueshme të performancës së mësimdhënësve.

Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, deklaron se duhet të ketë vlerësim të vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve, si dhe të përditësohet legjislacioni aktual për të rritur më shumë llogaridhënien brenda komunitetit të mësimdhënësve.

“Në Kosovë nuk ka mësimdhënës jo të mirë, mirëpo ka mësimdhënës të cilët janë shumë rehat në profesionin e tyre, kanë krijuar një lloj komoditeti të jashtëzakonshëm i cili dikur pastaj kthehet në një performancë jo të mirë. E kjo mund të eliminohet nëse kemi një infrastrukturë të mirëfilltë ligjore dhe kapacitet të mjaftueshëm prej anës së Ministrisë për një vlerësim meritokratik dhe transparent të performancës së tyre, dhe jo vlerësim një herë në pesë vite, mirëpo vlerësim të performancës së vazhdueshme që rrit presionin po edhe e rrit përgjegjësinë tek mësimdhënësit për punën”, thotë Qehaja për KosovaPress.

Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, është kundër testimit të mësimdhënësve. Sipas tij, një gjë e tillë do të kishte vetëm efekte negative.

“Personalisht jam kundër një testimi të tillë, për shkak se konsideroj që këta mësimdhënës kanë marrë diploma universitare nga institucione legjitime të Republikës së Kosovës apo edhe të vendeve të tjera, pastaj janë licencuar si mësimdhënës po nga këto institucione legjitime të Republikës së Kosovës dhe tash ku është kuptimi që ne t’i fusim ata në testim përderisa kemi një menaxhim të cilësisë duke filluar nga drejtori i shkollës, pastaj inspektorët përkatës, por edhe koordinatorët e cilësisë brenda shkollave. Personalisht mendoj se kjo nuk do të ndikojë pozitivisht në motivimin e mësimdhënësve, por më tepër do të krijojë një lloj stresi ta quajmë tek ta, një lloj mospërfillje dhe në përgjithësi i shoh pasojat negative nga ky lloj testimi”, thotë ai.

Vite më radhë është kërkuar shtimi i numrit të inspektorëve të arsimit në mënyrë që të arrihet të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.