SBASHK-u takim të jashtëzakonshëm me Asociacionin e Komunave: Greva vazhdon, derisa Qeveria nuk ulet në dialog

SBASHK-u ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, ku janë pajtuar që greva do të vazhdojë. derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve.

Komunikata e plotë:

Kryetari i BSPK-së Hykolli raportoi, pjesëmarrësit u deklaruan se greva vazhdon

Në orët e pasdites së të dielës  SBASHK-u ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve për të debatuar lidhur me takimin ë kryetari i BSPK-së Atdhe Hykolli në mbrëmjen e së shtunës e ka zhvilluar me Kryeministrin  Albin Kurti.

Kryetari Hykolli ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për ato që janë debatuar në këtë takim e pastaj është hapur debat konstruktiv lidhur me këtë. Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog edhe të ndodh me qëllim që të debatohen  të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme. Qëndrim unanim i  pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin grevist të BSPK-së, që është organ legjitim  për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë. Ata rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva  po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i  anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje.