Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit Parlamentar për Arsim, anëtarët e këtij komisioni janë pajtuar që të premten në mbledhjen e radhës të ftohen Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK).

Sipas kryetarit të këtij Komisioni, Ismajl Kurteshi, SBASHK-u duhet të rishqyrtoj qëndrimin e vet pasi sipas tij ata duhet të respektojnë vendimin e gjykatës.

Kurteshi ka thënë se vendimi i SBASHK-ut për mos kompensimin e orëve të humbura nëpër shkolla në Kosovë gjatë grevës së mësimdhënësve, është hedhur poshtë nga gjykata pasi është cilësuar si e pabazë.

Por një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i SBASHK-ut.

Në një prononcim për Ballkani.info, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se Gjykata nuk e ka hedhur poshtë vendimin e tyre por vetëm ka kërkuar që vendimi të pezullohet deri në seancë gjyqësore.

“SBASHK-u qëndron prapa vendimit që e ka sjellur Këshilli Drejtues. Në opinion janë ofruar deklarata që nuk qëndrojnë pasi që Gjykata nuk e ka hedhur poshtë padinë tonë por nuk e ka pranuar kërkesën tonë deri në mbajtjen e seancës gjyqësore. Padia jonë do të ketë seancë në gjykatë dhe do të merret vendim meritor. Gjykata njëherë nuk ka gjetur elemente për pezullimin e vendimit të ministrit deri sa të mbahet seanca dhe këtë argument ministri mund ta ketë përcjellur edhe tek Komisoni Parlamentar për Arsim, Komision ky të cilit nuk i përgjigjemi ne por ministri”, ka thënë Jasharaj.

Pasi që ditën e shtunë ishte krijuar një gjendje konfuzioni edhe tek nxënësit, pasi që në disa shkolla ishte mbajtur mësim ndërsa në disa shkolla të tjera ishte respektuar vendimi i SBASHK-ut, Jasharaj thotë se këto orë të mbajtura nuk mund të quhen ‘orë mësimi’.

“Në raportet që i kemi ne, në shumicën e shkollave në Kosovë nuk është mbajtur mësim, aty këtu ku është mbajtur mësim nuk mund të quhet as ‘mësim’ pasi që ka pasur pjesëmarrje shumë të vogël të nxënësve dhe mësimdhënësve. SBASHK-u kërkon nga Komisioni Parlamentar për Arsim që të ulen së bashku dhe të dëgjojnë argumentet e të dy palëve. Po e theksoj përsëri, ligji nuk na obligon që t’i kompensojmë orët e humbura dhe ligji është mbi të gjithë”, ka thënë ai për Ballkani.info.

Në fund, Jasharaj ka thënë se SBASHK-u do të respektojë cilindo vendim të Gjykatës edhe në rast se ai nuk pëlqehet nga ata vetë.

“Ne do të respektojmë cilindo vendim të organeve gjyqsore të Kosovës edhe nëse ai vendim nuk do të na pëlqejë, ne i respektojmë ligjet siç jemi duke e respektuar ligjin i cili nuk na obligon kompensimin e orëve të humbura mësimore nga greva”.

Kujtojmë se greva në arsim kishte zgjatur rreth një muaj. /Ballkani.info/