Saviq e tradhton, Përparim Hetemaj e lë Lazion jashtë Evropës (VIDEO)

Chievo, skuadra që siguroi rënien në Serinë B pas humbjes së pësuar në fushën e Napoli-t të dielën e kaluar, ka arritur të marrë fitoren e dytë në këtë sezon të Serisë A pasi ka mundur 2-1 Lazio-n e Strakoshës në “Olimpico”.

Një rezultat befasues i mundësuar nga çmenduria e Milinklovic-Savic në minutën e 34-t të pjesës së parë, kur serbi është ndëshkuar me karton të kuq për një shkelm të pakuptimtë ndaj Stepinski-t.

Miqtë kanë përfituar nga superioriteti numerik me dy gola të shpejtë të shënuar në fillimin e pjesës së dytë nga Vignato (49′) dhe kosovarin Perparim Hetemaj (51′). Vendasit kanë ngushtuar diferencat me Caicedo (67′), por nuk kanë arritur të shmangin humbjen.

Një mundësi e artë e shpërdoruar nga Lazio, që ka zbritur në vendin e tetë të renditje. Në rast fitoreje, bardhekaltrit do të kishin qenë vetëm një pikë larg vendit të katërt.

Lajme të këqija edhe për Vesel-in, i cili nuk ka arritur të ndihmojë Empoli-n që të shmangë humbjen 4-2 të pësuar në shtëpi kundër Spal-it. Ekipi i mbrojtësit shqiptar mbetet në vendin e 18-të me 29 pikë, katër larg zonës së mbijetesës, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur.