Presidenti

Saviçeviç: Mali i Zi, problem me Kosovën

Kualifikimet për “Euro 2020” do t’i vë përballë Malin e Zi me Kosovën. Numri 1 i futbollit malazez i frikësohet kësaj përballje.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviç, e konsideron sfidë të vështirë organizimin e ndeshjes me Kosovën, me të cilën malazezët do të takohen dy herë në kampanjën kualifikuese për “Euro 2020”.

Kosova dhe Mali i Zi do të takohen në Podgoricë dhe Prishtinë, ndërsa pjesë e grupit janë edhe Anglia, Çekia dhe Bullgaria.

“Grupi është i fortë. Anglia është favorite. Kur flasim për Kosovën, ata kanë bërë përvojë në Ligën e Kombeve ku kanë regjistruar rezultate pozitive. Kështu që nuk do të jetë lehtë ndaj Kosovës”, ka deklaruar Saviçeviç për mediat malazeze, duke treguar se do t’i kushtojë shumë kujdes edhe sigurisë së kësaj ndeshje.

Mali i Zi do ta pres Kosovën në Podgoricë më 7 qershor. Kurse, ndeshja kthyese në Prishtinë do të zhvillohet më 14 tetor.