Sauditët i japin pasaporta femrave, lejohen të udhëtojnë jashtë vendit edhe të vetme

Femrat në Arabinë Saudite mund të udhëtojnë tani jashtë vendit pa lejen e një kujdestari mashkull. Kjo është vendosur me një dekret mbretëror.

Rregulli i ri, u shpall të premten, dhe lejon femrat mbi 21 vjeç për të aplikuar për një pasaportë pa autorizim, duke i vendosur ato në një nivel me meshkujt.

Gratë po ashtu kanë fituar të drejtën të regjistrojnë lindjen, martesën apo divorcin. Mbretëria së fundmi ka lehtësuar kufizimet e hershme sociale mbi femrat edhe pse aktivistët thonë se duhet bërë akoma shumë për të drejtat e tyre.

Arabia Saudite në mënyrë të përsëritur është kritikuar për mënyrën se si i trajton nënshtetaset femra, një çështje kjo e nxjerrë në pah nga disa raste të profilit të lartë të femrave saudite që kërkojnë azil jashtë vendit.

Lideri de facto, princi i kurorës Mohamed Bin Salman, është përpjekur të zbusë kufizimet për femrat, mes të cilëve edhe heqja e ndalimit të grave në timon, në një përpjekje për ta hapur pak mbretërinë konservatore.

Por ai edhe ka përndjekur aktivistët e të drejtave të gruas, duke nxjerrë një numër prej tyre në gjyqe, muajt e fundit. Sistemi i kujdestarisë mashkullore në Arabinë Saudite, i jepte bashkëshortëve, baballarëve dhe të afërmve të tjerë meshkuj autoritetin për të marrë vendime të rëndësishme për gratë. Deri më tani, kjo bënte që gratë të kërkonin miratimin e tyre për të marrë apo për të rinovuar një pasaportë si edhe për të dalë nga vendi.

loading…