Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri shpreson që marrëveshja për transferimin e Higuainit në “Stamford Bridge të përfundohet me sukses, ndërsa ka shtuar se nuk pret që sulmuesi argjentinas të jetë në fushë në ndeshjen e nesërme kundër Tottenhamit.

Sarri ka thënë se Higuain nuk do të jetë në gjendje të kompletojë marrëveshjen për kalimin në Londër, derisa ndeshja kthyese ndaj Tottenahmit e vlefshme për gjysmëfinalet e EFL Cup zhvillohet të enjtën.

Higuain sot i ka kaluar me sukses testet mjekësore, ndërsa edhe Sarri ka konfirmuar se argjentinasi së shpejti do t’i bashkohet Chelseat.

“Është e pamundur që ai të jetë në fushë ndaj Tottenhamit. Më duhet të flas me doktorët nëse ka ndonjë problem fizik sepse nuk e kam parë prej kohësh. Sidoqoftë nuk mendoj se do të jetë i gatshëm për nesër”, u shpreh Sarri.

Milani e pati transferuar Higuainin në verën e kaluar në bazë të një marrëveshjeje që planifikonte fillimisht huazimin e tij, por klubi italian ka hequr dorë nga ky diskutim, duke gjetur menjëherë pasuesin e tij, që është sulmuesi polak, Krysztof Piatek.

Higuain ka dështuar të tregojë formë të mirë në “San Siro” duke shënuar vetëm 6 gola në Serie A, por sipas Sarri kjo ka ndodhur sepse skuadra e Milanit nuk është në standardin e tij.