Sarri nuk dëshiron përforcime në janar

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri dyshon se skuadra e tij është në gjendje ta fitojë Premier Leaguen këtë sezon por ka refuzuar të ndërhyjë në janar për ta përforcuar ekipin.

Londinezët janë të pamposhtur prej 5 gushtit, kur pësuan disfatë ndaj Manchester Cityt në Community Shield, ndërsa pas 10 javëve në Premier League Chelsea ndodhet në pozitën e 3-të me 24 pikë, 2 më pak se liderët City e Liverpool, me të tre skuadrat që ende nuk janë mposhtur.

Përkundër formës së mirë, trajneri Sarri beson se ka hapësira të shumta për përmirësime të skuadrës aktuale.

“Mua më duhet të mendoj vetëm se si t’i përmirësoj këta futbollistë. Është shumë e thjeshtë të shikojmë për blerje pas secilit problem. Na duhet të përmirësohemi me këta lojtarë që i kemi. Nuk kam kërkuar asgjë në lidhje me transferimet në muajin janar, besoj se për momentin mund të vazhdojmë me këta lojtarë dhe të jemi kompetitiv, ndoshta jo për kreun e renditjes por për top 4 patjetër”, u shpreh Sarri.

Ish trajneri i Napolit zbuloi se te Chelsea përballet më së shumti me problemet në mbrojtje, ndërsa përmendi rivalët Manchester City dhe Liverpool për mbrojtjen solide që kanë.

“Nëse dëshirojmë që në të ardhmen të fitojmë trofe duhet të bëhemi një skudër solide. Shikoni Cityn e Liverpoolin që kanë pranuar nga 3 respektivisht 4 gola. Duhet të rikuperojmë topat në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe të bëjmë presion”, përfundoi Sarri.