Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, mbeti i zemëruar me skuadrën e tij pas ndeshjes së mbrëmshme. Ai beson se lojtarët e tij ende nuk i kanë mësuar gjërat bazike të stilit të tij të futbollit.

Mbrëmë, Chelsea i humbi tri pikë të rëndësishme në garën për një vend në top katërshe, pasi pësoi disfatë turpëruese me rezultat 4-0, në ndeshjen kundër Bournemouthit.

Përderisa pjesa e parë përfundoi pa gola, skuadra e Sarrit u trondit në pjesën e dytë të ndeshjes, kur portieri Kepa Arrizabalaga u mposht në katër raste, dy herë nga Joshua King dhe nga një herë prej David Brooks dhe Charlie Daniels.

Përveç tri pikëve, klubi londinez e humbi edhe vendin në pozitën e katërt të Premierligës, për shkak të këtij rezultati. Kritikët e Sarrit besojnë se ai duhet ta ndryshojë stilin e tij të lojës pasi që deri më tani ky stil nuk ka pasur sukses, mirëpo trajneri italian nuk pajtohet.

“Ne nuk i kemi mësuar as lëvizjet bazike ende. Duhet të punojmë që t’i mësojmë gjërat bazike, themelet bazike të stilit tim të futbollit dhe vetëm atëherë mund të mendojmë për ndryshime”, ka thënë Sarri.

“Jemi duke e pasur problem, mbi të gjitha sa i përket mendësisë. Ne menduam se kishim mësuar të luajmë me një stil të caktuar të futbollit, por e vërteta është se nuk arritëm kurrë ta mësojmë. Tani, jemi duke i vuajtur pasojat”.

“Herë pas here, ky ekip reagon në një mënyrë që unë nuk mund ta deshifroj dhe kjo gjë krijon paqartësi. Ndoshta disa nga hapat ishin të paevitueshëm, por ne duhet ta kuptojmë pse i kemi këto momente krize mendore dhe ta gjejmë se çfarë mund të bëjmë për t’i evituar ato”.