Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se çështjen e dinarit serb e sheh të lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar se politikanët kosovarë duke mos marrë pjesë në takimet ku diskutohet për dinarin dalin më pak sovranë.

“Sa i përket çështjes së dinarit unë e shoh shumë të lidhur me dialogun. Nuk mendoj që politikanët duken më sovranë kur nuk janë të gatshëm të diskutojnë për masat që vendosen në Republikën e tyre, ata natyrisht mund të bëjnë të qartë rolin e institucioneve dhe qëndrimin e tyre”.

“Por kur e mohoni që të bëhet biseda dhe e mohoni të mundoheni të bëni një zgjidhje, dhe nuk dukeni më shumë sovranë. Sovraniteti është qëllim i Kosovës, unë personalisht e mbështesë me gjithë zotimin tim, e di që ka biseda në zhvillim e sipër dhe pres që të gjithë të punojnë për zgjidhje për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Sarrazin.