Saqipi: Me korrigjimin e kufijve do të korrigjohej padrejtësia shekullore ndaj shqiptarëve të Luginës

Në një intervistë me Ballkani.info koordinatori i shoqërisë civile për Luginë të Preshevës, Nexhmedin Saqipi, ka folur për situatën nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Luginës së Preshevës.

Saqipi, duke folur mbi diskriminimin sistematik që po ju bëhet shqiptarëve, tregon se zhgënjimit po i prinë edhe klasa politike dhe institucionale shqiptare e cila e joshur për pushtet lokal dhe qendror po rezulton me përçarje.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Na përshkruani situatën nëpër të cilën ka kaluar Lugina e Preshevës, përgjatë vitit 2018?

Nexhmedin Saqipi: Gjatë vitit, që sapo e kemi lënë, Lugina e Preshevës, ka kaluar nëpër situata aspak të këndshme, të cilat për shkak diskriminimeve sistematike, nga Beogradi zyrtar, pastaj zvarritja e dialogut të Brukselit, ku shqiptarët e këtij rajoni janë peng të këtyre proceseve, ka ndikuar në zbrazjen në heshtje të popullsisë shqiptare drejt Kosovës dhe shteteve perëndimore. Problemet e grumbulluara prej vitesh në Luginë të Preshevës, kanë zhgënjyer në masë të madhe qytetarët e saj, të cilët në mungesë të zhvillimit ekonomik, papunësisë, shkollimit superior etj, pak shohin shpresa se situatat e tilla do të ndryshohen për të mirë edhe për disa vjet. Këtij zhgënjimi, gjithashtu, po i prinë edhe klasa politike dhe institucionale shqiptare e cila e joshur për pushtet lokal dhe qendror përçahet, duke u parcializuar për interese pushtetare dhe partiake dhe si rezultat i kësaj reflekton mosunitet, hasmëria dhe shantazhet nga më primitive. Rast konkret kemi zgjedhjet e reja për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat u mbajtën me një zhurmëri të madhe propagandistike, në të cilin institucion ashtu si më parë vijnë njerëz partiakë, të cilët njëkohësisht mbajnë edhe pushtete lokale dhe financojnë projekte infrastrukturore, por jo edhe ato kulturore për të mbajtur gjallë frymën e vetëdijes kombëtare. Edhe viti 2018, ashtu si vitet paraprake po manifestohet me probleme të trashëguara nga e kaluara në fushën ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore etj, për të cilat Serbia, nuk tregon vullnet politik për t’i zgjidhur ato, por përkundrazi krijon edhe më shumë probleme artificiale për t’i përçarë dhe sunduar më lehtë shqiptarët.

Ballkani.info: Çka konsideroni sfiduese për Luginën e Preshevës?

Nexhmedin Saqipi: Për Luginën e Preshevës, konsiderohet sfiduese kauza e saj në përpjekje për ta mbajtur gjallë frymën liridashëse, për më shumë të drejta në hapësirat e saj të etnikumit shqiptar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pavarësisht nga presionet politike dhe diskriminimet sistematike shtetërore, që vijnë nga Beogradi, duhet të jenë unik në rrugën e realizimit të kërkesave të tyre legjitime. Ata duhet të unifikojnë mendimet dhe qëndrimet politike dhe institucionale për realizimin e kërkesave, duke treguar një këmbëngultësi deri në konkretizimin e tyre, kërkesa këto të cilat janë në frymën e proceseve evropiane dhe të parapara edhe me Kushtetutën e shtetit serb, për zgjidhjen e tyre. Mirëpo, partive të shumta politike shqiptare, që veprojnë në Luginë të Preshevës u mungon një konsensus politik, në mungesë të së cilit ata e bëjnë jetën partiake dhe institucionale të ndarë dhe të grupizuar, nga të cilat mosmarrëveshje fiton Beogradi, ndërsa pësojnë qytetarët shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo është një sfidë e madhe e cila do të na përsëritet edhe në vitet në vijim.

Ballkani.info: Çka konsideroni të arritur për Luginën e Preshevës?

Nexhmedin Saqipi: E konsiderojmë të arritur qëndresën shekullore të popullit tonë, i cili pavarësisht periudhave të vështira kohore, të regjimeve të ndryshme, ka arritur ta mbro gjuhën, traditën, zakonet e mbi të gjitha substancën e saj kombëtare në Luginë të Preshevës. Mund të veçojmë si të arritur të madhe Referendumin e vitit 1992, në të cilin popullata shqiptare e shprehu vullnetin politik për bashkëngjitje me Kosovën, pastaj Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2000 e disa të arritura tjera me të cilat ndjehet krenar çdo shqiptar i këtij rajoni dhe më gjerë ndër shqiptari. Mirëpo, më vonë rruga paqësore e zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve, nuk u përfill nga Beogradi zyrtar dhe nuk dha rezultate të pritshme. Shqiptarët edhe pas këtyre të arriturave vazhdojnë të mbeten të diskriminuar, qoftë në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Ballkani.info: Sa janë zbatuar politikat e planprogrameve në raport me kërkesat e qytetarëve?

Nexhmedin Saqipi: Mund të themi lirisht se politikat e planprogrameve në raport me kërkesat e qytetarëve, nuk përputhen as për së afërmi. Shumë kërkesa të qytetarëve për një jetë më të mirë në veprimtaritë me interes shoqëror dhe kombëtar, kanë ngelur vetëm si dëshirë fontanash e ato asnjëherë nuk janë zbatuara në praktikë. Në këtë drejtim fajtor është Beogradi, i cili paraqitet i shurdhër në realizimin e kërkesave për integrim në jetën politike dhe ekonomike, heshtja dhe injorimi i kërkesave për zgjidhjen e simboleve kombëtare dhe zbatimin në praktikë të dygjuhësisë, pastaj mosnjohja e diplomave nga Kosova, pasivizimi i vendbanimeve, moskthimi i të të zhvendosurve etj, procese këto të cilat prej kohësh po zvarriten dhe prolongohen.

Ballkani.info: Si e shihni qasjen e Prishtinës kundrejt Luginës?

Nexhmedin Saqipi: Përkundër përkrahjes morale, Prishtinës, i mungon një qasje më pragmatike për t’u ofruar ndihmë bashkëkombësve të vet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë nevojë për një përkujdesje jo vetëm nga Prishtina, por edhe nga Tirana zyrtare. Ka pasur disa iniciativa nga Prishtina për ta ndihmuar Luginën si ajo e Rezolutës, të miratuar në Parlamentin e Kosovë, në vitin 2013, për formimin e një fondi zhvillimor, por, i cili mjerisht ngeli vetëm në letër. Ne i dimë dhe i kuptojmë mundësitë financiare të Kosovës, por janë disa forma të ndihmës që mund të zbatohen në lehtësira për arsimimin e lartë të studentëve të kësaj ane, të cilët mund të lirohen nga pagesa e shkollimit dhe strehimit në konviktet e studentëve etj. Pastaj taksat që Kosova i vë Serbisë, nuk duhet të vazhdojnë për qytetarët shqiptarë jashtë kufijve të saj, ngase mund t’ua vështirësoj jetën më shumë dhe të ndikoj në shpërnguljen e tyre. Një pengesë të kësaj natyre e kemi pasur dikur me tabelat e regjistrimit të makinave dhe tarifat doganore, nga të cilat pësonin qytetarët shqiptarë të Luginës, por jo edhe serbët e Kosovës, të cilët e kishin mundësinë që ato t’i zëvendësonin me tabela provuese.

Ballkani.info: A mund të konsiderohet që viti 2018 ka qenë vit vendimtar i nismës së bashkimit të Luginës me Kosovën?

Nexhmedin Saqipi: Po, gjatë këtij viti, është mirëpritur nisma e Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili opsion e çonte në derë të Brukselit edhe çështjen e Luginës së Preshevës. Ne këtë iniciativë e kemi konsideruar si nga më të qëlluarat se opsionet e tjera, ngase me korrigjimin e kufijve do të korrigjohej një padrejtësi shekullore ndaj shqiptarëve të kësaj Lugine, të cilët kanë qenë të privuar nga e drejta e qarkullimit të lirë e pengesa të tjera të natyrës politike dhe ekonomike. E drejta politike e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, për bashkim me Kosovën, pjesë integrale të së cilës kanë qenë gjithmonë gjatë historisë, nuk do të shuhet kurrë. Nëse kjo ëndërr e kamotshme e shqiptarëve për bashkim, nuk do të realizohet në vitin 2018, do të kurorëzohet me sukses në vitet e ardhshme, ngase është e drejtë e garantuar edhe më konventat ndërkombëtare. Ne jemi autokton në këto vise, mirëpo kufijtë politikë dhe shtetërorë na kanë ndarë dhe na kanë kushtuar shtrenjtë, prandaj korrigjimi i tyre do të jetë i natyrshëm dhe me interes për të gjithë qytetarët në mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj, se me krijimin e raporteve të mira fqinjësore në mes Prishtinës dhe Beogradit, zonat kufitare kanë me qenë zona të lira të bashkëpunimit tregtar e kulturor, ura që lidhin vise e popuj e jo barriera që sjellin pasiguri dhe jostabilitet. E Lugina e Preshevës i ka këto dhunti natyrore shumë strategjike, që i lidh Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë, përmes Korridorit 10 dhe hekurudhës, me të cilat lidhet edhe Evropa dhe Azia.

Ballkani.info: Çka prisni nga viti 2019?

Nexhmedin Saqipi: Nga viti 2019, natyrisht se presim një përparim më të madh, në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore. Kur themi kështu kemi parasysh rezultatet e bisedimeve finale të Brukselit dhe arritjes së një marrëveshjeje historike shqiptaro-sere, nga të cilat është i varur edhe fati i Luginës së Preshevës. Nga realizimi i këtyre proceseve të shumëpritura midis Beogradit dhe Prishtinës, jo vetëm që do të relaksohen marrëdhëniet ndërfqinjësore, por edhe do të rritet kujdesi i faktorëve ndërkombëtarë, i cili edhe ashtu ka qenë i pranishëm në këto hapësira me projekte të ndryshme. Shpresojmë se viti 2019, do të sjell progres edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke i dhënë fund vuajtjeve të tyre shekullore për një jetë më të dinjitetshme në vatrat stërgjyshore, për të cilat kanë mall e dashuri. /Ballkani.info/