Sami Lushtaku për grafitet fyese ndaj Graincës: Vetëvendosja e ka bë këtë vepër që është shumë palidhje

Të martën mbrëma, në shtëpinë e deputetes së Vetëvendosjes, Adelina Grainca u shfaqën grafite fyese derisa autorët e kësaj vepre ende nuk dihen.

Akuza e kundër akuza pati ndërmjet dy partive PDK-së e Vetëvendosjes në lidhje me këto grafite.

Nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, në një prononcim për Front Online thotë se beson që këto grafitë janë vërë vet nga partia e deputetes Grainca.

Ai thotë se Vetëvendosja shquhet për grafite të tilla dhe një vepër të tillë nuk e bën PDK-ja.

“Unë nuk besoj që këto grafitë janë vepër e PDK-së. Vetëvendosja dinë këto lojëra me i bë me grafite. Nuk është PDK-ja që shquhet për këto grafite. Besoj shumë që Vetëvendosja e ka bë vet këtë vepër, që është shumë palidhje”, tha ai.

Lushtaku ka thënë se deputetja Grainca po e mban mandatin e deputetes në tjetër parti me votat e Partisë Demokratike të Kosovës.

“ Ajo vajza (Adelina Grainca) me vetë dëshirë e ka zgjedhur rrugën e vet, është e vërtet që ajo i ka votat e PDK-së, nuk i ka bë nder së pari familjes së vet dhe PDK-së”, ka thënë Lushtaku.

Mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.

“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM” kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.

Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se ka braktisur PDK-në dhe i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lulzim Grainca, xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve.