Sami Kurteshi (LVV) del kundër Trustit, flet keq për “20 vjeçarin e kaluar” ku shërbeu si Avokat i Popullit

Kundër tërheqjes së 30 për qind të kursimeve të Trustit është shprehur edhe anëtari i Vetëvendosjes në KQZ Sami Kurteshi.

Kurteshi i cili shërbeu në pushtetet e kaluara edhe si Avokat i Popullit nuk ka kursyer arsenalin e tij të kritikave ndaj qeverisjeve të 20 viteve.

Ai i ka quajt primitiv dhe antishtetëror opozitën kosovare, shkruan Demokracia.com.

“Primitivizmi antishtetëror i opozitës në Kosovë. Tërheqja e Trustit, është shkatërrim i shtyllës kryesore të sigurimit shoqëror për të moshuarit – pensionistët. Kërkesa për shterrjen e fondeve të sigurimeve shoqërore, edhe ashtu të varfëra, është kërkesë për shkatërrimin e ardhmërisë shoqërore dhe shtyrje në mjerim të të moshuarve.” ka shkruar Kurteshi në Facebook.

Kurteshi ka theksuar se kjo është dëshmi e mungesës së ndjesisë së solidaritetit dhe e mungesës së idesë së shtetëndërtimit.

“Bajraktari, lideri i fisit e i bajrakut, i katunit e klanit, nuk ka dhe as mund të ketë kulturë të ndërtimit të shtetit. Sepse për të nuk ekziston shteti si formë e organizimit shoqëror me garancitë për të gjithë, sepse “të gjithë” nuk janë pjesë e kopesë që bajraktari u grahë në emër të bashkësisë, sepse për të shoqëria është e panjohur si koncept dhe si formë e organizimit bashkëkohor. Thirrja e opozitës në emër të popullit me vetëm pak mbi 35% të votave të këtij populli, është gënjeshtër dhe mashtrim klasik i hajnave dhe zhvatësve të kriminalizuar për rrafsh 20 vjet, që e kanë sjellë vetë dhe vetëm ata buzë falimentimit shtetin dhe varfërimit të skajshëm shoqërinë. Ky është kthim në shekullin 18, në kohën e primitivizmit njerëzor pa solidaritet shoqëror.” u shpreh ai.