Salihu: Thaçi tani më ka krijuar një model të republikës në veri të Kosovës

Analisti në institutin GAP, Bekim Salihu, ia ka kujtuar presidentit Hashim Thaçi se firmën që e kishte vënë në njërën prej marrëveshjeve në Bruksel është në kundërshtim me deklaratën e tij se në Kosovë nuk do të lejohet një Republikë Serbe.

“Presidenti Thaçi tani po deklaron se nuk do të lejohet asnjë model i ‘republikës serbe të Bosnjës’ në Kosovë, por një lloj i këtij modeli tani me është vendosur dhe atë me nënshkrimet e Thaçit (në Bruksel)”, ka thënë Salihu.

E sipas tij, ky model karakterizohet me:

– Veriu i Kosovës nuk mund të ketë komandant të policisë nga shumica shqiptare

– Në veriun e Kosovës nuk mund të hyjë FSK pa pëlqimin e NATO-së

– Të hyrat doganore nga pika 1 dhe 31 në veri të Kosovës (që janë të destinuara për katër komunat e veriut) nuk shkojnë në buxhet të Kosovës, por në ‘Fondin e veriut’ që menaxhohet nga zyra e BE-së në Kosovë.

– Universiteti serb në veri konsiderohet i ligjshëm.

– Në veri lejohet operimi i kompanive të telefonisë mobile nga Serbia.

“Për veç këtyre, Thaçi ka nënshkruar edhe të drejtën e komunave serbe që të kenë asociacion. E për më shumë se kaq, veriu është i mbuluar nga strukturat paralele të Serbisë. Këto janë ‘tiparet e veçanta të veriut’ nga bisedimet e Brukselit, disa tipare tjera ‘të veçanta’ i ka fituar ky rajon edhe nga procesi ‘Ahtisari’, prandaj Thaçi po manipulon në opinion e me opinion”, ka thënë Salihu.