Salihu kritikon Feronikelin dhe Prishtinën për dështimin në Evropë, tregon sa skuadra do të rrëzohen nga Superliga

Kanë mbetur më pak se 1 javë deri tek fillimi i stinorit të ri në Superligën e Kosovës.

Evropa, transferimet, faza përgatitore dhe shumë gjëra të tjera do t;i lënë vend garës së Superligës së Kosovës që pritet të startojë nga kjo javë.

Klubet janë shprehur të gatshme për sezonin e ri, ashtu si dhe Federata e Futbollit të Kosovës, e cila thuhet se i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e stinorit të ri.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu në një intervistë për KosovaPress fillimisht u shpreh se FFK ka filluar qysh moti me përgatitjet për stinorin e ri dhe tanimë është gjithçka gati.

“Si zakonisht ju e dini që punimet për sezonin e ri fillojnë shumë herët, menjëherë pas përfundimit të stinorit të rregullt, kemi pasur lojë të barazhit që ka qenë pak më e komplikuar, lojët e përfaqësueses, pra aktivitetet në Federatë nuk pushojnë… Sa i përket Federatës së Futbollit, është një rutinë, tashmë u rritë faktikisht, u rritë në një nivel më të lartë se herëve të tjera”, tha Salihu.

Salihu vazhdoi tutje duke treguar edhe për formatin e ri të Superligës. Ai bërë të ditur se sezonin e ardhshëm nga Superliga do të bien 4 skuadra në Ligën e Parë, ndërsa 3 ekipe do të marrin pjesë në garat evropiane ani pse ende nuk është zyrtare

Ai kritikoi ashpër, skuadrat të cilat morën pjesë në garat ndërkombëtare, duke thënë se ato nuk kanë arritur ndonjë sukses, i cili mund t’i ndihmonte atyre dhe Federatës.

“Bien kuptohet katër, për arsye se nga sezoni i ardhshëm Superligën do ta përfaqësojnë vetëm 10 ekipe, pra bien katër, por në garat ndërkombëtare akoma nuk është bërë koeficienti por unë mendoj se do të shkohet me tri… Për fat të keq ekipet tona nuk u treguan as sivjet të mira, tani duhet me tregu realitetin. Niveli më i ulët i garave ndërkombëtare evropiane është kjo dhe ne nuk kemi arrit me kalu, përpos ndoshta nga një klub. Te kishim kaluar edhe një fazë më lartë, sigurisht që do të kishim edhe ekipe tjera”, vazhdoi ai.

Ai tha se pikërisht këto dy fakte e bëjnë sezonin e ardhshëm të Superligës tejet interesant dhe skuadrat sipas tij do të kenë një sezon tejet të ngjeshur, disa prej tyre duke u munduar të ikin nga rënia në Ligën e Parë, e disa tjera për të siguruar një vend që dërgon në garat ndërkombëtare.

“Sigurisht se do të jetë shumë interesante, sepse është menduar që Superliga, duhet të jemi real se jemi shteti më i varfër në Evropë, si me infrastrukturë si me ekonomi sidoqoftë mendoj që 10 ekipe kemi kapacitet më bo kualitative, me bo infrastrukturë të mirë, ndërsa skuadrat tjera që dëshirojnë me garu në Superligë duhet me pas se çfarë me tregu”, u shpreh Salihu

I pyetur se a mendon që skuadrat janë gati, Salihu u përgjigj se disa prej tyre po, ndërsa vazhdoi duke kritikuar disa skuadra të cilat sipas tij sezonin e kaluar janë marrë më shumë me politikë se sa me futboll.

“Unë mendoj se disa ekipe janë gati, për fat të keq po e them sinqerisht që disa ekipe më shumë janë marrë me politikë se sa që e kanë shikuar vetveten dhe kjo pastaj u pa edhe në gara ndërkombëtare. Klubet duhet të mos merren me politikë, t’i kryejnë punët e tyre, secila është për me lu futboll, ato janë fokusuar më shumë, ku kanë sjellë edhe pasiguri në ekipe tjera edhe te organet tjera dhe te komisionet tona. Shpresoj që klubet janë vetëdijesuar dhe e kanë kuptuar se klubi është për me zhvillu gjenerata të reja, për me pas sukses , me luajt futboll dhe jo me bë politikë”, përfundoi Salihu.

Kujtojmë që java e parë e sezonit të ri në Superligë zhvillohet këtë vikend.

Këto janë duelet e javës së parë.

E shtunë

Feronikeli – Drenica 17:00

Flamurtari – Prishtina 17:00

Llapi – Vushtrria 17:00

E diel

Dukagjini – Ballkani 17:00

Drita – Ferizaj 17:00

Trepça ’89 – Gjilani 17:00

loading…