Salih Mustafa, nga Burgu i Hagës, ka shprehur ngushëllimet e tij, si dhe ato të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Pjetër Shalës, me rastin e ndarjes nga jeta të Kimete Fazliu-Podvoricës, motrës së dy Heronjve të Kombit, Fahri dhe Bahri Fazliu.
Në mesazhin e përcjellë për familjen, ata kanë shprehur keqardhjen dhe solidaritetin e tyre për humbjen e Kimete Fazliu-Podvoricës, duke vlerësuar figurën dhe kontributin e familjes Fazliu në historinë kombëtare.
Ndërkaq, familja Fazliu-Podvorica ka shprehur falënderimet e saj për ngushëllimet dhe mbështetjen e marrë në këto ditë zie.
“Në emër të familjes Fazliu dhe Podvorica, shprehim falënderimet tona më të sinqerta për ngushëllimet, respektin, kujdesin dhe mbështetjen e treguar në këto momente të dhimbshme për familjen tonë”, thuhet në reagimin e familjes.
Familja Fazliu-Podvorica ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndarë dhimbjen me ta dhe kanë shprehur solidaritet në humbjen e të dashurës së tyre.







