Ish eprori

Safet Syla flet për Ballkani.info: Hetuesit e Speciales me intervistuan 18 orë për dy ditë rresht

Ish eprori i UÇK-së nga Komuna e Shtimes, Safet Syla është ftuar nga hetuesia speciale që të intervistohet në lidhje me ngjarjet e ndodhura gjatë luftës.

Në një intervistë për Ballkani.info, Syla ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se ishte nën hetime apo diçka të tillë, por sipas hetuesve ai ka kuptuar se është thirrur në cilësinë e dëshmitarit/hetues.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: A keni pranuar ftesë nga Gjykata Speciale?

Safet Syla: Ftesë me shkrim nga Gjykata Speciale nuk kam pranuar, jam kontaktuar përmes telefonit nga hetuesit e Gjykatës. Pas kësaj kanë ardhur më kanë marrë në zyren time më datën 11 dhjetor rreth orës 9 të mengjesit.

Intervistimin e kam mbaruar brenda dy ditëve, më datën 11 dhe 12 dhjetor. Gjithsej, intervista ka zgjatur rreth 18 orë. Intervista ka qenë e orientuar në fazën fillestare hetuese për mua dhe jam cilësuar si dëshmitar/hetues, term ky që nuk e kam dëgjuar më parë.

Intervistimi ka pasur të bëjë me angazhimin tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, deri në çastet kur jam kontaktuar nga hetuesit unë nuk kam pasur dijeni se jam nën hetime.

Ballkani.info: A beson në këtë Gjykatë?

Safet Syla: Unë mendoj se kjo Gjykatë do të dështojë ashtu siç kanë dështuar të gjitha gjykatat e tjera deri më tani. Sa kam unë informacion, askund nuk ka ndodhur të krijohet një Gjykatë për të hetuar krimet e supozuara të luftës vetëm për njërën palë. Në një konflikt nuk përfshihet vetëm një palë, gjithmonë egziston edhe pala tjetër, por në këtë rast po gjykohen vetëm ushtarët e UÇK-së.

Unë e kam thënë edhe në dëshminë time, por e them edhe publikisht, që nëse kjo Gjykatë do të formohej për të hetuar krimet e supozuara të të gjitha palëve të përfshira në konflikt dhe të mos bëntë dallimë etnie, ngjyre, race apo përkatësisë politike, do të ishte më ndryshe.

Besoj se do të ja dalim edhe këtë radhë dhe do të dëshmojmë edhe një herë që UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare dhe të pastërt, por përderisa kjo Gjykatë është e drejtuar vetëm ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, më bën të dyshojë në drejtësi.

Nuk mbahet mend në histori të njerëzimit që një shqiptar të ketë bërë krime mbi popullatën civile përkatësisht gra dhe fëmijë. Po të shohim nga ana serbe, ke shumë raste të masakrave dhe krimeve mbi gratë dhe fëmijët.

Ballkani.info: A ke pasur më herët ndonjë aktakuzë?

Safet Syla: Jo asnjëherë. Jam marrë në pyetje për çështje të tjera nga prokurori Salustro për disa gjykime në rastin “Kleçka” por nuk kam qenë i ftuar as si dëshmitar as si i akuzuar.

Ballkani.info: A mendoni se jeni identifikuar nga dikush apo ju ka akuzuar ndonjë person?

Safet Syla: Në pyetje mund të merret çdokush nga ne, kështu që mendoj që ndoshta dikush që është marrë në pyetje më herët ka përmendur emrin tim dhe çdo emër që është lakuar gjatë intervistimit, normalisht ftohet për dëshmi. Kjo ka ndodhur edhe në rastin tim. Kudo që unë kam qenë, normalisht ka pasur prezencë edhe të ushtarëve të tjerë, kështu që nuk është çudi që edhe ata të ftohen për intervistim.

Ballkani.info: Në debatet televizive po shohim shpesh herë që faji për krijimin e kësaj Gjykate i hidhet Presidentit aktual, Hashim Thaçit. Si rezultat i kujtë mendoni se ka ardhur Gjykata Speciale dhe a është e duhur?

Safet Syla: Mendoj që është rezultat i trysnisë të Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Kosovës, qoftë kjo pozitive apo negative. Të gjithë e dimë, përfshirë këtu edhe Hashim Thaçin se krijimi i kësaj Gjykatë nuk ka qenë hap i mirë. Nuk po dua të fajësoj apo ta mbroj Presidentin apo deputetët që e kanë votuar këtë Gjykatë, pasi që edhe unë kam qenë kundër kësaj Gjykatë që e kam shprehur edhe publikisht në protesta.

Unë i pata ftuar publikisht të gjithë deputetët që kanë qenë pjesë e UÇK-së që ta lëshojnë sallën e Kuvendit dhe mos ta votojnë këtë Gjykatë, por ja që kjo ndodhi dhe tani nuk mund ta lëshojmë vendin të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së.

Ne jemi në pozita të palakmueshme, pasi që çdo ish ushtar mund të ftohet për intervistim, por besoj se kjo do të përfundojë mirë.

Ballkani.info: A do t’i përgjigjeni ftesës nga Gjykata Speciale?

Safet Syla: Gjithmonë, përderisa kam qenë i gatshëm t’i dalë përballë forcave serbo-sllave gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, kam qenë i gatshëm ta sakrifikoj jetën time, andaj edhe këtë herë jam i gatshëm të ballafaqohem me çdokënd në çfarëdo forme vetëm që ta dëshmojë luftën e pastërt të UÇK-së.

Ballkani.info: Nëse ftoheni të shkoni në Hagë, a mendoni se do të jeni të ftuar vetëm si dëshmitar?

Safet Syla: Nuk e di, mund të ndodhë që të mbarojë vetëm me këtë intervistim, por ka mundësi të ftohem edhe si dëshmitar apo i akuzuar, varet nga vendimi i tyre. Gjykata Speciale po vendos për fatin tonë.

Ballkani.info: A keni dijeni se sa ish-ushtarë janë të ftuar?

Safet Syla: Jo nuk mund ta di, por e di që çdo ish-ushtarë, qoftë në cilësinë e ushtarit apo komandantit, ka mundësi të marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Ballkani.info: Ankesat që janë drejtuar në Gjykatën Speciale, a mendon se janë më shumë prej palës shqiptare apo serbe?

Safet Syla: Ankesat dhe trysnia po vijnë nga ndikimi politik i Serbisë. Unë jam i sigurtë që hetuesia janë të pajisur me të dhëna që i kanë marrë nga Serbia dhe këto aktakuza mund të jenë të përpiluara në Serbi.

Ballkani.info: A do të ketë përfshirje të ngjarjeve të pasluftës apo vetëm për periudhën e luftës?

Safet Syla: Intervistimi im ka pasur të bëjë vetëm me ngjarjet gjatë luftës dhe ka përfunduar në momentin kur ka përfunduar UÇK-ja apo kur është trasnformuar në TMK.

Ballkani.info: Si dëshmitar jeni pyetur rreth ngjarjeve gjatë luftës lidhur me keqtrajtime, vrasje apo diçka e tillë?

Safet Syla: Pyetjet kanë qenë të shumëllojshme dhe unë jam përgjigjur vetëm për veprimet e mija dhe angazhimin tim kështu që mbetet në dorën e tyre ta vlersojnë se a kam bërë ndonjë shkelje apo jo.

Ballkani.info: A keni angazhuar ndonjë avokat?

Safet Syla: Në fazën e hetimeve nuk kam pasur avokat, por nëse akuzohem atëherë sigurisht duhet të angazhoj një të tillë. Për momentin nuk jam në kontakt me ndonjë avokat por do të shohim.

Intervistuan: Mihane Hoxha dhe Oqean Dermaku /Ballkani.info/