arlind sadiku

Sadiku: Sulmi në Banjskë u paralajmërua muaj më parë përmes sportit

Drejtori i futbollit në Artmotion, Arlind Sadiku ka thënë se sulmi në Banjskë nga ana e Serbisë e që mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku, u paralajmërua nga ana e sportit.

Kjo, pasi sipas tij, tifozët serbë kishin pasqyruar një sllogan me thirrje ‘kur ushtria niset në Kosovë’, njofton Klankosova.tv.

“Ne e kemi memorien e shkurtër dhe harrojmë shpejt. Si ndodhi sulmi në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë polici, a e dini si ka qenë zanafilla e atij sulmi? E ardhjes së ushtarëve serbë në Mitrovicë? Ka qenë përmes sportit, përmes ndeshjes së futbollit, ku tifozët e kanë pasqyruar një sllogan ‘kur ushtria niset në Kosovë’. Përmes këtij sllogani para shtatë muajve është paralajmëruar sulmi në veri, përmes sportit”, u shpreh Sadiku.

Më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit një grup paramilitar i udhëhequr nga terroristi Millan Radoiçiq sulmuan Policinë e Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa policia arriti ta neutralizonte grupin duke i vrarë tre terroristë.