Sabit Geci: Nëse del që kam marrë para për vrasjen e ndonjë personi, unë i lidhem me krejt familjen

Njëri nga ish-komandantët e Zonës Operative të Drenicës, Sabit Geci, që është liruar me kusht ka treguar për gjendjen e tij shëndetësore që është edhe arsyeja se pse ai nuk është duke e vuajtur dënimin e tij në burg.

“Dukja ime është e mirë për hasmit. Unë jam bërë 20 herë operacion, derisa pesë herë minimum kam qenë 99 % i vdekur”.

“Në operacionin e fundit në Turqi kur kam dalë nga intensiva pas tri ditësh dhe ka ardhë ardh mjeku dhe më ka parë duke më shëtitur djali në korridor i ka vënë duart në kokë dhe më ka thënë ‘a je jashtëtokësor ti apo çka është puna jote?’.

“Vuajtjet të kalitin dhe të bëjnë edhe më të fortë se sa që je. Është njëlloj si trimëria. Nëse fillon të frikësohesh çmendesh nga frika, derisa nëse fillon të bëhesh trim shkon duke u bërë edhe më trim”.

Por, a ka qenë Sabit Geci prapa ndonjë grupi që ka bërë atentate ose vrasje në Kosovë?

“Unë kam nejt dhe kam pi kafe me këdo që më është ulur në tavolinë. Kam qenë njeriu më i thjeshtë ndër të gjithë shokët. Nuk i përkas asnjë grupi”.

Ai në një rrëfim të rrallë në Zona B të Klan Kosovës ka folur edhe për atë që është përfolur shumë shpesh – se ai ka marrë mijëra euro që të organizojë atentate.

“Nëse del një argument që unë kam marrë para prej dikujt për vrasjen e ndonjë personi unë i lidhem me krejt familjen”.

“Në jetën time nuk ka bërë askush aso muhabetesh me mua. Jo që janë frikësuar se unë flas sepse të gjithë shokët e dinë që unë nuk flas, por nuk kanë pasë arsye me më fut mua në ato muhabete”.

Ai ka thënë se në mesin e shumë dëshmitarëve që kanë qenë pjesë e procesit gjyqësor për të nuk ka qenë asnjë komandant lufte.

“Kam pasë plot dëshmitarë. Dëshmitarë nuk kanë ardhë komandantët, ish-shokët e mi kanë heshtur”.

“Heshtja është pajtueshmëri me atë që po ndodh. Kur një gjë i ndodh shokut tim dhe unë hesht dhe nuk flas, atëherë unë pajtohem me atë që po i ndodh atij”.

“Çdo herë kur vjen një mision aty nuk ka drejtësi. UNMIK-u dhe EULEX-i nuk kanë pasë drejtësi”.

“Vendimi është marrë që unë të dënohem me pesë vjet e gjysmë burgim. Kur kemi shkuar ta dëgjojmë dënimin që duhej të shpallej në orën 09:00, gjyqtari nuk ka ardhë deri në orën 16:00 sepse i kanë bërë presion që duhej të m’i jepte 38 vjet e gjysmë burgim”.