Sa i ka Kosova borxh qytetarëve dhe bizneseve?

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë publike shifrën e borxhit shtetëror ndaj bizneseve dhe qytetarëve dhe anasjelltas.
Shefi i ZKA-së, Besnik Osmani në një intervistë në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se shteti ka rreth 200 milionë euro borxh ndaj bizneseve dhe qytetarëve ndërsa këta të fundit i kanë borxh shtet rreth 565 milionë euro.

“Detyrimet e papaguara në fund të vitit të kaluar, në raportin e fundit që e kemi bërë sillet rreth 200 milionë euro, prej tyre janë 170 milionë të nivelit qendror dhe janë 30 milionë euro të komunave. Ndërsa shuma e detyrimeve kontingjente e cila potencialisht mund të ndikojë buxhetin tonë është 140 milionë, 76 në nivelin qendror dhe 66 milionë në nivelin lokal”, tha Osmani.

Ndërsa sipas tij sot shtetit qytetarët dhe bizneset i kanë 565 milionë euro, prej tyre 403 milionë nivelit qendror dhe 162 milionë në nivelin lokal.