Volodymyr Zelensky

Sa e vështirë është të jesh Volodymyr Zelensky

Kërcënimi rus për pushtim të Ukrainës ka shkaktuar reagime shqetësuese pothuajse tek të gjitha vendet dhe jo vetëm në SHBA, të cilat dhanë alarmin dhe zhvendosen mijëra ushtarë me hipotezën, sipas tyre konkrete, të një pushtimi.

Çuditërisht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbajtur një qëndrim në dukje të qetë, ditët e fundit, ai është përpjekur të qetësojë ujërat dhe të ulë frikën ndaj një pushtimi rus, madje duke kritikuar qeveritë perëndimore për alarmin e ngritur.

Qëndrimi i Zelenskyt vjen në përputhje me mënyrën se si ai i ka menaxhuar tensionet me Rusinë deri më tani, por orët e fundit e kanë vendosur atë në një pozitë të vështirë. Ai duhet të balancojë përshkallëzimin e tensioneve edhe ndaj aleatëve perëndimorë të cilët kanë investuar kohë për të gjetur një konsensus diplomatik, por edhe mjete luftarake për mbrojtjen e Ukrainës.

Nëse vërtetë Rusia e pushton vendin, Zelensky mund të akuzohet se ka minimizuar rrezikun e një lufte dhe nuk ka bërë mjaftueshëm për ta shmangur atë, siç pretendojnë tashmë, disa nga kritikët e tij.

Qëndrimi i kujdesshëm i presidentit ukrainas është shfaqur në disa raste gjatë javëve të fundit. Ai e barazoi tensionin në kufi me momente të tjera të ngjashme mes Rusisë dhe Ukrainës, pa i dhënë asaj një specifikë apo urgjencë të veçantë.

Një gjë të tillë, Zelensky e bëri kur tha se rreziku i një pushtimi rus është i barabartë me atë të prillit të kaluar, kur Rusia grumbulloi rreth 40.000 ushtarë në kufi dhe më pas i tërhoqi ata. Ai e bëri përsëri një gjë të tillë edhe kur barazoi rrezikun aktual në zonën kufitare me tensionet që kanë vazhduar mes Rusisë dhe Ukrainës që nga vitit 2014, atëherë kur Rusia aneksoi Krimenë.

Zelensky kritikoi gjithashtu krerët e qeverive perëndimore për tonet e tyre, sipas tij, krejt të pajustifikueshme dhe tepër alarmante.

“Unë jam presidenti i Ukrainës, unë jetoj këtu dhe mendoj se e njoh situatën më mirë se çdo president tjetër”, tha ai, duke iu referuar shqetësimeve të shprehura nga Joe Biden dhe Emmanuel Macron për përkeqësimin e situatës në kufi.

Një rast tjetër kur Zelensky u mundua të shuante frikën e një pushtimi rus të vendit, ishte kur kritikoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar familjarët e stafit të ambasadës amerikane në Kiev, kryeqytet i Ukrainës, duke e konsideruar një vendim të tillë si të tepruar.

“Diplomatët janë si kapitenët, ata duhet të jenë të fundit që braktisin anijen që po rrezikohet të fundoset, por Ukraina nuk është Titaniku”, ironizoi Zelensky.

Po ashtu, ka pasur edhe raste të tjera që presidenti ukrainas e ka marrë shumë seriozisht mundësinë e një pushtimi rus, si në rastin kur kritikoi presidentin e SHBA-ve Joe Biden, kur ky i fundit tha se NATO nuk do të dinte si t’i përgjigjej një “sulmi të vogël” të Rusisë në Ukrainë. Ose edhe atëherë kur ai tha se një luftë në Ukrainë nuk do të ishte vetëm një luftë mes Ukrainës dhe Rusisë, por një “luftë evropiane, një luftë e vërtetë”. Këto deklarata, në një farë mënyrë, dukej se kundërshtonin angazhimin e tij për të ulur frikën dhe tensionin e krijuar nga pushtimi i vendit nga Rusia.

Qetësia e Zelenskyt ka disa arsye. Pjesërisht, siç tha ai vetë, perspektiva e një lufte të afërt rrezikon të destabilizojë ekonominë e vendit dhe politikën e brendshme, për të cilat ai ka çdo interes t’i ruajë të paprekura. Siç shpjegoi Wall Street Journal, “qetësia olimpike” është një strategji shumë specifike, e miratuar nga Zelensky, me mbështetjen e këshilltarëve të tij më të afërt.

Sidoqoftë, në përgjithësi, Zelensky po e trajton kërcënimin e një pushtimi rus siç është përpjekur ta bëjë gjithmonë, me kujdes dhe duke shmangur sa më shumë të jetë nevoja përplasjet frontale. Zelensky është 44 vjeç, presidenti i shtatë që udhëheq vendin që nga pavarësia me Bashkimin Sovjetik. Një nga premtimet kryesore të tij, së bashku me çrrënjosjen e korrupsionit, ishte të gjente një zgjidhje diplomatike për uljen e tensioneve me Rusinë, duke arritur nënshkrimin e një marrëveshje paqe me Putinin, pa qenë nevoja për të shkuar në luftë.

Në fjalimin e tij të parë si president, Zelensky i tha qytetarëve të vendit se “do bënte çdo gjë që ishte e mundur për të arritur një paqe me Rusinë”, një frazë kjo që u shndërrua në moto, duke qortuar ashpër kundërshtarin e tij kryesor, Petro Poroshenko, ish-president i vendit, i cili humbi zgjedhjet për shkak edhe të marrëdhënieve të tij të këqija me Rusinë.

Megjithatë, gjërat nuk kanë ecur aq mbarë, Zelensky arriti të kuptojë se marrëveshja me Putinin nuk ishte aq e thjeshtë dhe gradualisht ka marrë pozicione më të ndrydhura, për shkak edhe të kritikave të marra nga brenda, veçanërisht nga pjesa e atyre që e akuzojnë për një qëndrim të nënshtruar ndaj Rusisë, shkruan tch.

Një pikë kthese, ku marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës u përkeqësuan edhe më shumë, erdhi veçanërisht me administratën e Joe Biden, e cila deklaroi se ishte e gatshme të kundërshtonte ekspansionizmin rus dhe premtoi mbështetjen e SHBA-së për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Të gjitha këto ndryshime mund ta kenë bindur Putinin të veprojë përpara se “status quo”-ja aktuale, në përgjithësi ende pro ruse, të ndryshojë. Disa nga ish-bashkëpunëtorët e tij, komentuar nga Wall Street Journal, thanë se Zelensky ende shpreson se është në gjendje të gjejë një gjuhë konsensusi me Rusinë për të nënshkruar një marrëveshje paqeje. Qëndrimi i tij i kujdesshëm dhe i qetë në dukje mund të shërbente për të treguar se ai nuk ka dëshirë të merret me Rusinë si armik dhe për rrjedhojë të mos ndikojë në përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve.

Megjithatë, duke pasur parasysh nivelin e tensioneve, pozicioni i Zelenskyt është i rrezikshëm, veçanërisht duke marrë për bazë edhe protestat në të shkuarën për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë, pasi konsiderohej një qëndrim shumë i papajtueshëm. Ndërsa gjatë javëve të fundit, kundërshtarët dhe kritikët e tij, veçanërisht Poroshenko, e kanë akuzuar atë se e ka marrë shumë pak seriozisht kërcënimin e një pushtimi rus, duke mos marrë masat e duhura për mbrojtjen e vendit.

Ka edhe nga ata që e vlersojnë qetësinë e Zelenskyt dhe besojnë se ai po e menaxhon një situatë shumë delikate me kaq kompetencë dhe vendosmëri, pa iu dorëzuar panikut. Por nëse Putin do të vazhdonte me një pushtim të vendit, Zelensky do të rrezikonte gjithçka dhe përveç problemeve që lidhen me menaxhimin e një konflikti të armatosur, ai do të humbte edhe besueshmërinë e tij në popull dhe jo vetëm, por edhe tek aleatët e tij perëndimorë, duke nënvleftësuar rrezikun e një pushtimi të dytë rus brenda një dhjetëvjeçari.