Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se është përfunduar rruga e bjeshkës si dhe Master-Plani për bjeshkët e Gjeravicës, një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe ekonomik të zonës.
Sipas Shehut, në vijim do të investohen rreth gjysmë milioni euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike në bjeshkë, duke krijuar kështu parakushtet për funksionalizimin e projekteve të reja zhvillimore.
“Po krijohen parakushtet për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi përmes bjeshkëve të Gjeravicës”, ka deklaruar Shehu.
Ai ka kujtuar se gjatë mandatit të parë të qeverisjes së tij, Juniku është bërë komuna e parë që ka vendosur ndriçimin SMART, ndërsa ka paralajmëruar se në mandatin e dytë do të investohen mbi 200 mijë euro të tjera për ta kompletuar ndriçimin SMART në të gjitha lagjet e mbetura.
Në fund, Shehu ka uruar qytetarët duke theksuar se puna dhe projektet konkrete do të vazhdojnë edhe në mandatin e ardhshëm.
“Urime Junik. Vazhdojmë +4 pa balotazh”, ka shtuar ai.







